Tragjedia hekurudhore në Spanjë, të paktën 39 të vdekur – çfarë e shkaktoi aksidentin?

Të paktën 39 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga përplasja e dy trenave me shpejtësi të lartë pranë Adamuzit, në provincën e Kordobës, në Spanjë.

Sipas raportimeve paraprake, aksidenti ndodhi pasi një tren i kompanisë Iryo, që udhëtonte nga Malaga drejt Madridit, doli nga shinat dhe u përplas me një tren të kompanisë shtetërore Renfe, i cili po lëvizte në drejtim të kundërt. Si pasojë, edhe disa vagonë të trenit të dytë dolën nga shinat, ndërsa disa përfunduan në një terren të pjerrët.

Pas aksidentit, hetuesit nisën punën për të zbardhur shkaqet e tragjedisë. Një nga pistat që po shqyrtohej ishte mundësia e një defekti në bashkimin e shinave. Sipas burimeve të cituara nga Reuters, në vendngjarje ishte vërejtur një pjesë e dëmtuar e këtij bashkimi, e cila mund të kishte krijuar një hapësirë mes segmenteve të hekurudhës.

Megjithatë, autoritetet theksuan se ende nuk kishte një përfundim zyrtar për shkaqet e aksidentit dhe se përgjigjja përfundimtare do të dilte nga hetimi teknik.