Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar vendim për formimin e Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve, me qëllim përmirësimin e sigurisë së punonjësve të mediave, parandalimin e kërcënimeve dhe krijimin e kushteve për ushtrimin e lirë dhe profesional të gazetarisë.
Komiteti i ri do të ketë për detyrë të monitorojë sigurinë e gazetarëve, të forcojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe komunitetit mediatik, si dhe të përgatisë Planin Kombëtar të Veprimit për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve.
Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, njoftoi se plani duhet të hartohet më së voni deri më 15 dhjetor 2026, në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet ndërkombëtare.
Plani do të përqendrohet në katër fusha kryesore: parandalimin, mbrojtjen, ndjekjen efektive të autorëve të veprave penale dhe edukimin.
Parashikohen mekanizma për reagim të shpejtë, mbështetje policore dhe juridike, mbrojtje nga kërcënimet në hapësirën digjitale dhe hetime më efikase të sulmeve ndaj gazetarëve.
Në Komitet do të përfshihen përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Transformimit Digjital, Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, Radiotelevizionit të Maqedonisë dhe Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.
Komiteti do të kontribuojë gjithashtu në zbatimin e fushatës së Këshillit të Evropës “Gazetarët kanë rëndësi”.
“Ju keni të drejtë të parashtroni pyetje, ndërsa ne kemi detyrim të përgjigjemi. Ju keni të drejtë ta vini në pikëpyetje punën e institucioneve, ndërsa ne kemi detyrim ta arsyetojmë atë”, deklaroi Miteva.
