Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV), javën e kaluar, kreu një mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese te një person juridik – një mishore në Komunën e Vasilevës, ku në një pronë private u zbulua një komorë që nuk ishte e regjistruar në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari.
Gjatë kontrollit, veterinarët zyrtarë të AUV-së gjetën dhe konfiskuan në dhomë 400 kilogramë preparate të ngrira mishi, qofte dhe qebabë, si dhe 70 kilogramë organe të brendshme. I gjithë sasia e konfiskuar e preparateve të mishit dhe organeve të brendshme u shkatërrua në mënyrë të padëmshme në deponi, sipas procedurave ligjore të parashikuara.
Për shkak të parregullsive të konstatuara, u mor masa e mbylljes së përkohshme të dhomës, ndërsa personit juridik iu vendosën edhe gjoba për punë në objekt të paregistruar dhe për mosshënimin e produkteve.
Nga AUV theksojnë se ky rast është edhe një konfirmim i rëndësisë së kontrolleve të rregullta dhe të jashtëzakonshme inspektuese, me të cilat AUV mbikëqyr punën e operatorëve të ushqimit, respektimin e detyrimeve ligjore dhe përmbushjen e kushteve për sigurinë e ushqimit që prodhohet, ruhet dhe vihet në qarkullim.
Në periudhën nga janari deri në gusht 2026, shërbimet inspektuese të AUV-së kanë kryer gjithsej 74.838 mbikëqyrje inspektuese. Kontrollet përfshijnë segmente të ndryshme të zinxhirit të ushqimit në tregun e brendshëm dhe në import, me qëllim zbulimin dhe eliminimin në kohë të parregullsive dhe parandalimin e vendosjes në treg të ushqimit të pasigurt. Në këtë periudhë janë shkatërruar 69.776 kilogramë ushqim i pasigurt nga qarkullimi i brendshëm dhe nga importi, është ndaluar importi i 21.105 kilogramëve ushqim të pasigurt me origjinë jo-shtazore, ndërsa në vendet e origjinës janë kthyer dërgesa me gjithsej 122.602 kilogramë ushqim me origjinë shtazore.
Agjencia njofton vazhdimin e kontrolleve inspektuese në të gjithë vendin, me prioritet mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe parandalimin e shitjes së ushqimit të pasigurt.
