Për një javë të tërë, prindërit e Shkollës Fillore në fshatin Frëngovë të Strugës nuk i kanë lënë fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë, pasi u mor vendimi për bashkimin e dy klasave nga klasa e parë dhe e tretë në një klasë të kombinuar, ku dhjetë fëmijë, shtatë nxënës të klasës së parë dhe tre të klasës së tretë, do të duhet të mësojnë së bashku. Kjo vjen pasi një nga mësuesit doli në pension.
Prindërit nuk pajtohen që fëmijët e tyre të ndjekin mësimet në një klasë të kombinuar. Ata kërcënojnë se do të vazhdojnë me bojkotin e mësimit.
“Ne nuk duam që arsimimi i tyre të zhvillohet në një klasë të kombinuar. Ne duam që fëmijët tanë të mësojnë si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre, në një klasë të veçantë vetëm për klasën e parë. Gjithashtu i kërkojmë drejtorit, Ministrisë ose çdo organi kompetent që e menaxhon këtë çështje të na japë një kopje të vendimit. Ne kërkojmë që vendimi të rishqyrtohet. Ne besojmë se arsimi i kombinuar nuk është aq i mirë sa arsimi i rregullt, sepse mësuesja duhet t’i përkushtohet klasës së parë ashtu siç duhet të japë mësim në çdo klasë tjetër.” – Egzona Jonuzi, Prind.
“Nxënësit e klasës së parë duhet të mësojnë shkronjat. Si do të arrijë mësuesja t’u përkushtohet të gjithëve? Ajo do të punojë me nxënësit e klasës së parë për dhjetë minuta, me nxënësit e klasës së dytë për dhjetë minuta. Nëse duan, mund t’i ndajnë fëmijët në grupe më të vogla dhe të organizojnë dy klasa, siç kanë bërë në vende të tjera, sepse edhe fëmijët e tyre mësojnë atje. Por edhe fëmijët tanë meritojnë kushte të përshtatshme. Nuk ka logjikë që nxënësit e klasës së tretë të mësojnë së bashku me nxënësit e klasës së parë. Thjesht nuk ka kuptim.” – Lirim Ilazi, Prind.
“Asnjë nga prindërit nuk është dakord me këtë organizim. Ne kërkojmë që fëmijët të kenë mësuesen e tyre dhe të ndjekin mësimet në kushte të përshtatshme dhe të kenë mësuesen e tyre.” – Vlora Iljazi ,Prind.
Prindërit kërkojnë që Komuna e Strugës dhe Ministria e Arsimit, të miratojnë menjëherë klasa të ndara. Thonë se fëmijët e tyre nuk janë numra për shkurtime buxhetore ose për të mbuluar lëshimet administrative. Ata njoftojnë se nuk heqin dorë nga qëllimi i tyre./Alsat.mk
