Nënshkruhet plani i bashkëpunimit ndërmjet ministrive të shëndetësisë të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për periudhën 2026-2028

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, dhe ministrja e Shëndetësisë e Republikës së Bullgarisë, Katja Ivkova, sot në Sofje nënshkruan Planin e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Bullgarisë për periudhën 2026–2028.

Siç njoftojnë nga MSH, me këtë Plan konfirmohet përcaktimi i të dyja vendeve për avancimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore, mbi bazën e barazisë, reciprocitetit dhe interesit të ndërsjellë.

“Plani parasheh shkëmbimin e informacionit dhe përvojave, shkëmbimin e specialistëve për trajnime dhe konsultime, pjesëmarrjen në veprimtari shkencore dhe mjekësore, realizimin e projekteve të përbashkëta shkencore dhe praktike, si dhe bashkëpunimin në organizimin e kurseve dhe seminareve”.

“Si fusha prioritare të bashkëpunimit janë përcaktuar kujdesi shëndetësor parësor dhe i specializuar, kujdesi shëndetësor spitalor, parandalimi dhe kontrolli i sëmundjeve ngjitëse dhe jongjitëse, mbikëqyrja epidemiologjike, statistikat mjekësore, organizimi i reagimit shëndetësor në situata të jashtëzakonshme, shëndetësia elektronike, si dhe fusha të tjera me interes të ndërsjellë”.

“Në kuadër të vizitës në Sofje, ministri Klekovski vizitoi edhe Kompleksin Spitalor Universitar të Obstetrikës dhe Gjinekologjisë „Majçin dom”, ku u njoh me punën e institucionit dhe praktikat bashkëkohore në fushën e shëndetit të nënës dhe fëmijës, veçanërisht në fushën e neonatologjisë dhe kujdesit për të porsalindurit”.

“Gjatë bisedimeve me ekipet mjekësore u shkëmbyen përvoja dhe u shqyrtuan mundësitë për avancimin e bashkëpunimit, me theks të veçantë në skriningun neonatal dhe zbulimin e hershëm të gjendjeve shëndetësore te të porsalindurit. „Majçin dom” disponon klinikën më të madhe të neonatologjisë në Bullgari, me një repart të kujdesit intensiv dhe pajisje moderne mjekësore, ndërsa Laboratori Kombëtar i Gjenetikës, në kuadër të këtij institucioni, kryen skriningun e të porsalindurve, duke përfshirë ekzaminimet metabolike dhe gjenetike”, thonë nga MSH.