Qeveria e Kosovës nis përgatitjet për Apelin në Hagë për katërshen e UÇK-së

Qeveria e Kosovës ka formuar grup punues për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në rastin e katërshes së UÇK-së. Këtë grup do ta kryesojë zv.kryeministri i Kosovës Glauk Konjufca

Kryeministri Albin Kurti tha se dënimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nga Gjykata Speciale është i padrejtë juridikisht dhe përmban pasaktësi juridike dhe faktike.

“Aktgjykimin në shkallën e parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së e konsiderojmë të padrejtë, juridikisht dhe moralisht, si dhe me pasaktësi faktike dhe historike. Prandaj, punojmë që të bëhet korrigjimi i tij në shkallën e apelit…. Për këtë arsye, po themelojmë grupin punues të kryesuar nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, për të bashkërenduar mbështetjen institucionale, juridike dhe diplomatike në funksion të procedurave të apelit. Me këtë vendim po e konkretizojmë zotimin tonë që, me mjetet që i kemi në dispozicion, të angazhohemi për drejtësi dhe mbrojtje të vërtetës historike të luftës sonë çlirimtare”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

 Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti tha se strategjia duhet të përgatitet sa më shpejt, por pa nxitim, në mënyrë që të shmangen gabimet dhe të sigurohet që ajo t’i shërbejë qëllimit për të cilin po hartohet. Ai nuk përcaktoi një afat konkret për përfundimin e saj.

“Afati kohor se kur do të realizohet strategjia, natyrisht, varet nga shumë faktorë, por për ne është e rëndësishme që të fillojë menjëherë dhe të trajtohet në radhë të parë. Të mos bëjmë gabime të mundshme, siç kemi parë javët e kaluara, dhe të ngutemi e pastaj të krijojmë një strategji e cila nuk do të ishte shumë në shërbim të asaj për çka krijohet. Një strategji e tillë do të krijohet shumë shpejt, por afat nuk mund të jap”, tha Andin Hoti, Ministër për punë, familje dhe vlera të luftës çlirimtare.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për themelimin e Grupit Punues në mbështetje shtetërore për ish-krerët e UÇK-së. Ajo ka thënë gjithashtu se Kuvendi do të jetë pjesë e këtij angazhimi dhe se në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë do të propozojnë delegimin e një përfaqësuesi të Kryesisë në këtë Grup Punues.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale i shpalli katër ish-krerët e UÇK-së fajtorë për disa akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim./Alsat.