BDI kërkon raportin e plotë të policisë për rrahjen e dy të rinjve, kundërpërgjigjet Astrit Iseni

Pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për pezullimin e policëve që ushtruan dhunë brutale ndaj dy të rinjve në Saraj të Shkupit, nga BDI kërkojnë të publikohet raporti i plotë policor pasi konsiderojnë se ka kundërthënie nga informacionet që qarkullojnë në publik. Nga BDI thonë se sipas dëshmisë së të rinjve, thuhet se janë goditur edhe pasi janë neutralizuar dhe prangosur ndërsa në opinion qarkullojnë pretendime për rezistencë ndaj policisë dhe marrje të armës nga njëri prej policëve.

“Kërkojmë publikimin e raportit fillestar të patrullës policore, procesverbaleve dhe dokumentacionit përkatës, duke respektuar të dhënat personale dhe integritetin e hetimit. Kush e ka përpiluar raportin? Çfarë kanë deklaruar policët pjesëmarrës në intervenim? A përputhet versioni i tyre me pamjet që tashmë i ka parë opinioni? Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje zyrtare. Nëse ka pasur tejkalim të autorizimeve policore, përgjegjësia duhet të përcaktohet për secilin zyrtar të përfshirë, pa përjashtim”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Nga ana tjetër zv.ministri i brendshëm Astrit Iseni akuzoi BDI-në se po keqpërdorë rastin për të fituar pikë politike dhe për ta kthyer atë në rast me ngjyrime etnike. Sipas Isenit, Ministria e Brendshme e ka kryer punën e saj duke i pezulluar nga puna gjashtë policët ndërsa procedurat e mëtejshme i udhëheq Prokuroria.

“Suspendimi i gjashtë policëve është dëshmi se sistemi funksionon. Kjo është fitore e integritetit përballë manipulimeve. Fitore e arsyes së shëndoshë ndaj përpjekjeve për të nxitur tensione ndëretnike. E tani, meqë BDI-ja kërkoi edhe dorëheqjen time, kam disa fjalë për ju që shpifjen e propagandën e keni në majë të gjuhës. Për njëzet vjet ishit në pushtet. Gjatë qeverisjes suaj ndodhën ngjarje makabre, shumë prej të cilave lidhen me veprimet e policisë dhe të institucioneve të drejtësisë. Ngjarje që shqiptarët nuk i harrojnë”, u kundërpërgjigj, Astrit Iseni, zv.ministër i brendshëm.

Një ditë më parë Ministria e Punëve të Brendshme mori vendim për pezullimin e policëve të cilët u konstatua se kanë përdorur dhunë të tepruar ndaj dy të rinjve ndërsa u paralajmërua dhe kallëzime përkatëse varësisht provave dhe procesverbalit përfundimtar./Alsat.mk.