Dje Gjykata Kushtetuese mori një vendim që krijon një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për gjuhën shqipe dhe për sigurinë juridike në vend, thonë nga BDI.
“Në vend që të shqyrtojë çështjen e publikimit të rregullores vetëm në gjuhën maqedonase në dritën e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore për publikimin e akteve edhe në gjuhën shqipe, Gjykata e trajtoi çështjen përmes aspektit material të aktit.
Por pikërisht këtu qëndron problemi: kushtetutshmëria nuk është vetëm përmbajtje. Është edhe procedurë, formë dhe respektim i rregullave kushtetuese për mënyrën se si krijohet dhe hyn në fuqi një akt.
Vetë Gjykata Kushtetuese, në praktikën e saj, ka vlerësuar çështje të tilla, ndërsa dje u ngrit kundër vetës, duke shkel çdo normë.
Prandaj pyetja është e pashmangshme:
Nëse publikimi në kundërshtim me kërkesat kushtetuese dhe ligjore nuk është më çështje që mund të shqyrtohet si kushtetutshmëri dhe ligjshmëri formale, atëherë çfarë vlere kanë vetë rregullat kushtetuese për procedurën dhe publikimin e akteve?
Dhe kjo nuk është pyetje vetëm për një rregullore.
Është pyetje për gjuhën shqipe, për rendin juridik dhe për sigurinë juridike të çdo qytetari.
Sepse nëse një akt mund të publikohet vetëm në maqedonisht dhe kjo të mos ketë relevancë për kontrollin kushtetues, çfarë e garanton që nesër i njëjti standard të mos zbatohet edhe për akte të tjera?
Dhe këtu duhet të kujtojmë diçka themelore: gjuha shqipe nuk është dekor kushtetues. Është pjesë e rendit kushtetues.
Prandaj, ajo që ndodhi dje nuk duhet të normalizohet dhe as të relativizohet.
Nuk është vetëm çështje e një rregulloreje. Është çështje se a vlejnë njësoj Kushtetuta, ligji dhe siguria juridike për të gjithë.
Dhe për këtë arsye, kjo çështje nuk përfundon me vendimin e djeshëm”, thonë nga BDI.
