Bytyqi: Të gjitha partitë opozitare do ta përkrahin rritjen e pagës minimale në 600 euro

Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi thekson se të gjitha partititë opozitare do të përkrahin propozimin për rritjen e pagës minimale dhe mbështetjen e sektorit privat përmes subvencionimit të kontributeve.

“Mendoj se partitë opozitare të gjitha do ta përkrahin, por nuk është e mjaftueshme vetëm partitë opozitare ta përkrahin, na duhet edhe partitë në pushtet. Këtu për shembull, unë me të vërtetë habitem kur i shoh partnerët e koalicionit, përveç OBRM-PDUKM-së që është VLEN-i dhe ZNAM-i, pse ata nuk do të përkrahin një ligj të tillë.

Dallimi i këtij ligji për pagën minimale, sepse kemi pasur edhe më parë propozim për rritjen e pagës minimale, është se ka një instrument tjetër që i ndihmon sektorit privat.

Propozojmë me ligjin e ri për rritje të pagës minimale që paga minimale të shkojë në 600 euro, duke filluar që nga muaji tetor. Por, njëkohësisht propozojmë me këtë ligj që Qeveria t’i ndihmojë sektorit privat duke subvencionuar kontributet për rritjen që do të ndodhë për pagën minimale.

Ajo rritje është diku, prej pagës minimale aktuale që është rreth 10.900 denarë. Për këtë shumë, qeveria të marrë përsipër subvencionimin e kontributeve dhe të dhënave tjera për sektorin privat që ta kenë më lehtë ta bëjnë këtë kalim”, deklaroi Bytyqi në “TV Shenja”.