Eurodeputeti Uajc: Progresi nuk i duhet Bashkimit Evropian, por qytetarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut

Progresi i vendit nuk i nevojitet BE-së, por qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, dhe pavarësisht nëse bëhet ose jo anëtare e BE-së, përparimi duhet të bëhet. Kështu porositi eurodeputeti austriak, raportues për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian Thomas Uajc, në Forumin Qytetar “Maqedonia e Veriut dhe e ardhmja e Evropës: Qytetarët në zemër të zgjerimit të BE-së” në Shkup.

“A nevojitet progresi për ne në BE, jo progresi nevojitet vendit tuaj që të shkojë përpara të zhvillohet dhe të zhvillojë një shoqëri demokratike dhe mirë të organizuar. Pavarësisht nëse dëshironi të anëtarësoni në BE ose jo. Nganjëherë e humbim këtë nga pamja. Nganjëherë unë dhe kolegët e mi ndjehemi sikur jemi mësues të ju tregojmë se çfarë duhet të bëni. Mund të duket ndonjëherë kështu, e pranoj, se edhe nga ana jonë, por nuk duhet të jetë kështu. Unë fuqimisht besoj se vendet e zhvilluara janë themeli i shoqërive lulëzuese. Nëse nuk arrihet që qytetarëve të ju jepet një shoqëri e tillë, qytetarët kërkojnë jetën e tyre në vend tjetër”, tha Thomas Uajc, eurodeputet.

Ai theksoi se duhet të flitet hapur për problemet me të cilat përballet vendi, si problemet me mjedisin, cilësinë e ajrit, deponitë ilegale, riciklimin, impiantet e trajtimit të ujërave të zeza, minierat dhe pylltarinë. Uajc u ndal edhe te sundimi i ligjit dhe proceset demokratike, duke theksuar se ligjet duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë.

Ndërkohë kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, theksoi se anëtarësimi i plotë në BE është një përcaktim i qartë strategjik i cili, sipas tij, duhet të jetë mbi partiak dhe afatgjatë.

“Integrimi evropian nuk është vetëm proces i harmonizimit të ligjeve, përmbushjes së kritereve dhe hapjes e mbylljes së kapitujve. Para se gjithash ai është një proces që duhet të mundësojë ndryshimin thelbësor të sistemit, në funksion të një standardi më të mirë jetese për të gjithë ne. Prandaj kur flasim për anëtarësimin në BE, duhet të flasim për arsim më të mirë, për kujdes shëndetësor cilësor, vende pune dinjitoze, institucione funksionale, drejtësi të barabartë për të gjithë, luftë kundër korrupsionit dhe krijimin e kushteve që të rinjtë të shohin të ardhmen e tyre këtu”, theksoi Afrim Gashi, Kryeparlamentar.

Eurodeputeti sllovak Branislav Ondrush theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve në proceset politike. Sipas tij, të dhënat dhe analizat janë të rëndësishme për hartimin e politikave, por nuk mjaftojnë për të kuptuar plotësisht nevojat e njerëzve./Alsat.mk.