Maqedonia vazhdon të jetë ndër vendet me përqindje të lartë të konsumit të duhanit dhe produkteve të ngjashme. Sipas të dhënave të fundit të EUROSTAT, në vitin 2022 – 22,5 për qind e qytetarëve mbi 16 vjeç konsumonin çdo ditë duhan ose produkte të ngjashme. Kjo përqindje është dukshëm më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila në vitin 2025 ishte 16,5 për qind.
“Gjersa BE-ja ka parë një rënie të përgjithshme të përdorimit të duhanit (nga 17.5% në 16.5%), shumica e vendeve në rajon (Turqi, Serbi, Kroaci, Bullgari) kanë parë rritje të ndjeshme. Maqedonia është në të njëjtin mjedis ballkanik ku konsumi mbetet i lartë. Në Maqedoni, sipas të dhënave më të fundit në dispozicion, në vitin 2022, 22.5% e personave të moshës 16 vjeç e lart përdornin duhan dhe produkte të ngjashme çdo ditë”, thonë nga Eurostat.
Ndërkaq të dhënat më të reja kombëtare janë nga GYTS 2024 – Anketa Globale për Përdorimin e Duhanit te të Rinjve, të prezantuara në shkurt 2026, 13.6% e nxënësve 13–15 vjeç përdorin një lloj produkti të duhanit – norma më e lartë e regjistruar deri tani në këtë seri anketash.
Duhanpirja lidhet me më shumë se një të tretën e të gjitha rasteve të kancerit të mushkërive, si dhe me një pjesë të konsiderueshme të sëmundjeve kardiovaskulare. Pulmologu Zekirija Shahini ngre alarmin për konsumin e duhanit, duke treguar se duhanpirja është shkaktari numër një i kancerit të mushkërive.
“Duhet të ngrihet alarmi, pse jo edhe të frikësohen njerëzit se është për t’u frikësuar dhe për të treguar se shkaktari i kancerit të mushkërive është duhani. Nëse nuk mund ta ndalojmë 100% të paktën ta parandalojmë ose të gjejmë një alternativë që t’i paraprijë kësaj, që të mos vije te sëmundjet fatale, e fatkeqësisht ajo që më shqetëson më shumë është edhe mosha e re e pacientëve. Nuk është një moshë 70 apo 80 vjeçare, por janë një shumicë e madhe e pacientëve 50-60 vjeçare, që është një moshë shumë e re, moshë mesatare. Kemi një rritje të vdekjeve të pacientëve të moshave të reja”, u shpreh Zekirija Shahini, pulmolog.
Përndryshe, Projektligji për mbrojtjen nga duhani është në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë. Ai parashikon ndalimin e pirjes së duhanit në hapësirat publike dhe të punës, si dhe rregullimin e saktë të tarracave të lokaleve të shërbimit të ushqimit.
Për herë të parë, përfshihen edhe cigaret elektronike, produktet e duhanit me ngrohje dhe produkte të tjera të reja me nikotinë. Vendimi parashikon shtrëngimin e rregullave për reklamimin dhe promovimin e duhanit dhe produkteve të lidhura me të, veçanërisht në hapësirën digjitale dhe në rrjetet sociale, me qëllim zvogëlimin e ndikimit tek të rinjtë./TV21/
