Lista e barnave esenciale, qytetarët: Barnat mungojnë, çmimet janë të larta

Pas më shumë se një dekade, lista e barnave esenciale është përditësuar. Lista e re përmban gjithsej 372 barna, prej të cilave 193 janë të reja, ndërsa 12 barna nga lista e mëparshme janë hequr. Barnat janë sistematizuar në 28 fusha terapeutike, ndërsa janë përfshirë edhe terapi të reja. 

Por për qytetarët, pyetja kryesore është sa do të ndryshojë kjo në praktikë, sa do të paguajnë për terapinë dhe a do t’i gjejnë barnat kur u nevojiten.

Ata mirëpresin përditësimin e lsitave, por ka edhe prej tyre që ankohen për mungesë të barnave dhe për çmime të shtrenjta.

“Edhe ashtu duhet të vazhdojhë herë pas here lista të ndryshojë dhe të ketë ilaçe të reja, medikamente të reja. Çmimet janë normal, mesatare…Kryesisht janë prej Fondit Shëndetsor edhe atë ilaçet më të rëndësishme, tani lsita është bërë, është azhurnuar”, deklaroi qytetari. 

“Unë ato ilaçe i marr gati për 30 vite, për ato harxhoj rregullishht, 1 mijë – 2 mijë denarë në muaj, kryesisht i kam me reçetë, vetëm dy ilaçe i marr privat. Po edhe këto të shtypjes që i marr i kanë shtrenjtuar çmimet”, u shpreh qytetari. 

“Tash ilaçet për tension nuk ka pasur opër gati dy muaj, nuk kanë prodhuar dhe kemi pritur me muaj”, theksoi qytetari.

Shembujt e qytetarëve tregojnë se për pacientin nuk është e rëndësishme vetëm nëse një terapi gjendet në listë, por edhe nëse ajo është e disponueshme në barnatore dhe nëse mbulohet nga sigurimi shëndetësor. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se përditësimi sjell terapi moderne dhe një qasje të re në përcaktimin e barnave esenciale.

“Lista e re përmban gjithsej 372 barna, prej të cilave 193 janë të reja. Barnat janë sistematizuar në 28 fusha terapeutike, ndërsa për herë të parë janë përfshirë edhe barna për kontracepsion dhe terapi zëvendësuese me nikotinë”, theksojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Nga atje, bëjnë të ditur se lista është përgatitur mbi bazën e dëshmive të reja shkencore dhe nevojave bashkëkohore shëndetësore.

Me ndryshimet e reja ligjore parashihet që lista të përditësohet çdo dy vjet. Ndërkohë, duhet bërë dallim mes listës esenciale dhe Listës Pozitive, e cila përcakton barnat që mbulohen nga Fondi për të siguruarit. Vetëm gjatë vitit 2025, sipas Fondit, janë realizuar 27,3 milionë receta për barna, ndërsa këtë vit janë shtuar edhe brende të reja në barnatore. /rtm2