Pas 30 vitesh rikthehet Shkolla e Mesme Policore, Toshkovski: Nis një gjeneratë e re e policëve të ardhshëm

Tetovasot raporton se pas tre dekadash pauzë, në Maqedoninë e Veriut ka nisur zyrtarisht mësimi për gjeneratën e parë të Shkollës së Mesme Policore të rikthyer “7 Maji”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, vizitoi sot Akademinë Policore, ku 310 nxënës filluan procesin mësimor, duke shënuar rikthimin e arsimit të mesëm policor pas 30 vitesh.

“Deri para 30 vitesh ishte regjistrimi i fundit në Shkollën e Mesme Policore. Sot kemi një gjeneratë të re të policëve të ardhshëm, të cilët pas dy vitesh do të diplomojnë me profesionin ‘zyrtar policor’. U uroj suksese të gjithë nxënësve që u regjistruan”, deklaroi Toshkovski.

Ai theksoi se gjatë dy viteve të ardhshme, nxënësit do të kalojnë një proces të plotë arsimor dhe profesional, me mbështetjen e profesorëve, mentorëve dhe instruktorëve, duke shprehur bindjen se vendi do të fitojë një brez të ri policësh të përgatitur profesionalisht.

Tetovasot raporton se ministri falënderoi të gjithë ata që kanë punuar gjatë dy viteve të fundit për rikthimin e Shkollës së Mesme Policore “7 Maji”, duke e cilësuar këtë si një moment historik për Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Rihapja e kësaj shkolle është pjesë e strategjisë së MPB-së për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe arsimore, me synimin për të përgatitur gjenerata të reja të zyrtarëve policorë të aftë për t’iu përgjigjur sfidave moderne të sigurisë dhe për t’u shërbyer qytetarëve dhe shtetit.