🥋 “Rri rahat, e kryme është kjo punë” – Gresa Mustafai mbetet jashtë listës për police, reagime të forta në Strugë
Karateistja nga Struga, Gresa Mustafai, e cila ka përfaqësuar Maqedoninë e Veriut në gara të karatesë, ka mbetur jashtë listës së 310 kandidatëve të pranuar për policë, ndërsa rasti i saj ka nxitur reagime në opinion.
Sipas raportimit të TetovaSot, Mustafai kishte aplikuar për t’u bërë pjesë e policisë dhe kishte kaluar fazat e para të procesit, përfshirë testimin psikologjik në ASK. Megjithatë, emri i saj nuk është gjendur në listën përfundimtare.
❗ Sipas të njëjtit raportim, gjatë procesit ajo kishte kontaktuar përfaqësues të VLEN-it, ndërsa zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, i atribuohet premtimi: “Rri rahat, e kryme është kjo punë.”
Mustafai, sipas raportimit, kishte kërkuar ndihmë dhe sqarime edhe nga përfaqësues të tjerë politikë, por në fund mbeti jashtë listës.
🗣️ Rasti ka shkaktuar reagime edhe në Strugë. Besnik Asani i është drejtuar publikisht Astrit Isenit, duke vënë në pikëpyetje faktin që një sportiste e karatesë nuk është pranuar.
“As karateistja me renome botërore, Gresa, nuk i kaloi testet?! Për ata që nuk e dinë, Gresa ishte kandidate për police, por nuk u pranua. Turp për përfaqësuesit tanë në Polici!”, shkruan Asani në reagimin e tij.
❓ Ndërkohë, mbetet pa një përgjigje publike pyetja kryesore: Përse Gresa Mustafai nuk u pranua?
Rasti ka hapur debat edhe për transparencën e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve, veçanërisht për mënyrën se si kandidatët njoftohen për rezultatet dhe arsyet e mospranimit.
Mustafai njihet për angazhimin e saj në karate dhe për pjesëmarrjen në gara sportive, ndërsa tashmë pritet një sqarim nga institucionet kompetente lidhur me rezultatin e procesit të saj të aplikimit.
