Partia VLEN nëpërmjet një komunikate akuzon se po luhen lojëra prapa skenës lidhur me rastin e Artan Grubit, i cili dje për herë të parë u ul në bankën e të akuzuarit për keqpërdorimin e 8.2 milionë eurove në Lotarinë Shtetërore.
“Pas seancës së parë gjyqësore ndaj Artan Grubit që u mbajt dje, gjithnjë e më shumë po dalin në pah pyetje serioze për atë që ka ndodhur prapa skenave dhe për përpjekjet për ta mbyllur këtë proces përmes një marrëveshjeje me Prokurorinë. Supozohet se Artan Grubi është bindur të lidhë marrëveshje me Prokurorinë, të pranojë fajësinë, të marrë një sanksion dukshëm më të lehtë, por në këtë mënyrë edhe t’i japë fund të gjitha ambicieve për të udhëhequr BDI-në”, thonë nga VLEN.
Pretendimet e VLEN-it, BDI i quan mendësi kriminale për të prodhuar komplote dhe nënshtrim për të mbuluar korrupsionin.
“BDI kërkon drejtësi joselektive dhe gjyqësor të pavarur. Çdo ndërhyrje në drejtësi dhe çdo presion politik mbi një proces gjyqësor është i papranueshëm. Drejtësia nuk guxon të përdoret si instrument për përndjekje apo përllogaritje politike. Proceset duhet të jenë të pavarura, të hapura dhe transparente, në mënyrë që opinioni të mund të njihet me çdo pretendim, provë dhe fakt”, thonë nga BDI.
Gjatë ditës së djeshme u mbajt seanca e parë gjyqësore për Artan Grubin dhe 6 persona të tjerë, ndërsa Përparim Bajrami mbetet në arrati. Organi i akuzës me 231 prova materiale dhe 7 dëshmitarë kundër të akuzuarve paralajmëroi se do ta dëshmojë fajësinë për të cilën parashikohet dënim me burg prej 1 deri në 5 vjet burg. Gjykata caktoi dinamikë të ngjeshur për periudhën e ardhshme. Në shtator do të mbahen 6 seanca, ndërsa në tetor 7. /Alsat.mk
