Privohen nga liria 13 shoferë për drejtim të pakujdesshëm, 7 prej tyre pa patentë

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, policia ka privuar nga liria 13 shoferë për shkak të drejtimit të pakujdesshëm të automjeteve.

“Prej tyre, shtatë drejtonin automjet pa patentë shoferi, njëri prej tyre ishte i mitur, ndërsa njëri, përveçse pa patentë shoferi edhe nën ndikimin e alkoolit. Me shpejtësi më të madhe nga e lejuara ka drejtuar automjetin edhe një shtetas i huaj. Ai është privuar nga liria në PKK “Tabanoc”, pasi përmes sistemit “Qyteti i Sigurt” është konstatuar se drejtonte automjetin me shpejtësi prej 164 kilometrash në orë, në vend ku me shenjë rrugore shpejtësia e lejuar është 80 kilometra në orë. Pesë persona drejtonin automjetet nën ndikimin e alkoolit, njëri prej të cilëve ishte përfshirë në një aksident trafiku dhe kishte pësuar lëndime të rënda trupore”, njoftuan nga MPB.

Nga MPB thonë se pas dokumentimit të plotë të rasteve, do të paraqiten kallëzime penale përkatëse.