Mickoski: Mbi 1.200 projekte po realizohen në të gjithë vendin, do të vazhdojmë investimet në arsim

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se Qeveria do të vazhdojë të mbështesë projekte që u shërbejnë qytetarëve, veçanërisht në fushën e arsimit dhe sportit.

Gjatë fjalimit të tij në hapjen e një salle të re sportive, Mickoski theksoi rëndësinë e investimeve në infrastrukturën për fëmijët, duke nënvizuar se sporti, shoqërimi dhe garimi ndikojnë në zhvillimin e tyre të shëndetshëm.

“Ne do të vazhdojmë si Qeveri t’i mbështesim projekte të tilla edhe në periudhën që vijon. Detyra jonë është të punojmë dhe të realizojmë atë që kemi premtuar”, tha Mickoski.

Sipas tij, aktualisht në të gjithë territorin e vendit po realizohen më shumë se 1.200 projekte.

“Mendoj se Maqedonia për momentin është shndërruar në një kantier të madh ndërtimi, dhe ky ishte edhe qëllimi i kësaj Qeverie kur u zgjodh”, deklaroi kryeministri.

Mickoski bëri të ditur se për vitin e ardhshëm, përmes BNJVL-së, kryetarët e komunave do të inkurajohen të përgatisin projekte në përputhje me mundësitë e tyre. Në të njëjtën kohë, Qeveria planifikon që një pjesë të mjeteve nga buxheti qendror t’ua transferojë komunave, me qëllim që të realizohen edhe më shumë projekte.

Ai falënderoi kryetarën e komunës, këshillin komunal dhe administratën për punën e tyre, si dhe ministren e Arsimit dhe kolegët nga Qeveria për mbështetjen në financimin e projekteve komunale.

Në fund, Mickoski uroi që nga kjo sallë të dalin shumë sportistë të suksesshëm dhe reprezentues që me krenari, dinjitet dhe rezultate të mira do t’i mbrojnë ngjyrat e Maqedonisë.