Ministria e Ekonomisë: Nuk do të ketë masa të reja, çmimet e ushqimeve janë më të ulta për të dytin muaj radhazi

Ministria e Ekonomisë dhe Punës vlerëson se aktualisht nuk ka nevojë për masa të reja për kufizimin e çmimeve të produkteve ushqimore, pasi të dhënat zyrtare tregojnë stabilizim të lëvizjeve të çmimeve.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, inflacioni vjetor në korrik ishte 2,3 për qind, ndërsa në nivel mujor u regjistrua rritje prej vetëm 0,1 për qind.

Nga Ministria theksojnë se veçanërisht te produktet ushqimore është shënuar trend pozitiv, pasi çmimet në këtë kategori kanë shënuar ulje për të dytin muaj radhazi.

“Për momentin, treguesit zyrtarë nuk sinjalizojnë nevojën për vendosjen e masave të reja intervenuese, pasi lëvizjet e çmimeve janë stabile, ndërsa në kategorinë më të rëndësishme – ushqimet – tashmë për të dytin muaj radhazi shënohet ulje e çmimeve”, njoftuan nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës.

Sipas dikasterit, rritja e kostos së jetesës gjatë korrikut është ndikuar kryesisht nga faktorë sezonalë. Rritja më e theksuar është regjistruar në sektorin e transportit, me 4,4 për qind, si dhe në kategorinë e rekreacionit, sportit dhe kulturës.

Ministria bën të ditur se situata në treg do të vazhdojë të monitorohet dhe se, në rast të rritjeve të pajustifikuara të çmimeve ose çrregullimeve në treg, do të ndërmerren masat përkatëse.

Ndërkohë, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, e ka cilësuar vazhdimin e trendit të uljes së inflacionit si një sinjal inkurajues për ekonominë.

Ajo theksoi se krahas stabilizimit të inflacionit, rritje po shënojnë edhe eksportet, prodhimi industrial, punësimi dhe të ardhurat tatimore në Buxhet.