Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar lidhur me heqjen e mbishkrimeve në gjuhën shqipe në vendkalimet kufitare, duke ngritur pyetje mbi funksionimin e shtetit ligjor dhe zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Ademi thekson se çështja nuk është vetëm politike, por lidhet drejtpërdrejt me sundimin e ligjit, duke pyetur nëse ligjet vlejnë njësoj për të gjithë apo zbatohen sipas interesave të pushtetit.
Sipas tij, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është ligj special (lex specialis) dhe ka përparësi ndaj ligjeve të tjera për çështjet që rregullon. Ai i referohet nenit 16, paragrafi 2, duke theksuar se në vendkalimet kufitare dhe aeroportet në rajonet ku të paktën 20 për qind e qytetarëve flasin një gjuhë tjetër përveç maqedonishtes, mbishkrimet dhe udhërrëfyesit duhet të jenë edhe në atë gjuhë.
Më tej, Ademi përmend edhe nenin 23, paragrafi 5, sipas të cilit, në rast të mospërputhjes me ligje të tjera, organet shtetërore janë të detyruara të zbatojnë dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Ai shtron pyetjen se si është e mundur që tabelat në gjuhën shqipe kanë qenë të vendosura për vite me radhë në vendkalimet kufitare, ndërsa tani janë hequr, megjithëse ligji nuk ka pësuar ndryshime.
Sipas Ademit, heqja e një të drejte që është zbatuar për vite pa ndryshuar baza ligjore përbën shkelje të ligjit dhe diskriminim institucional. Ai kritikon edhe përfaqësuesit e institucioneve që, sipas tij, po përpiqen të arsyetojnë situatën në vend që të kërkojnë zbatimin e ligjit.
Në fund të reagimit të tij, sekretari i përgjithshëm i BDI-së u bën thirrje qytetarëve të mos pranojnë heshtjen dhe relativizimin e shkeljeve të ligjit, duke përfunduar me mesazhin: “Mosni vëllezër e motra. Mosni se nuk ia vlen!”
