Temperatura mbi 40 gradë, vendi hyn në fazën e portokalltë

Muaji gusht ka nisur me temperatura rekord. Vapë përvëluese, net tropikale dhe ditë me mbi 40 gradë Celsius pritet të dominojnë në të gjithë vendin. Institucionet kanë ngritur alarmin, ndërsa qytetarëve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes maksimal për të shmangur pasojat e të nxehtit ekstrem.

I gjithë territori i Maqedonisë është përfshirë nga faza portokalli për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të larta, ndërsa sipas parashikimit më të fundit të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, vala e të nxehtit do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim.

Meteorologët paralajmërojnë mot me diell dhe shumë të nxehtë, me vranësira të pakta deri mesatare. Temperaturat maksimale ditore kudo do të jenë mbi 32 gradë, ndërsa në rajonet më të nxehta do të arrijnë dhe do të tejkalojnë 40 gradë Celsius.

Sfidë shtesë do të jenë edhe temperaturat e larta gjatë natës, të cilat nuk do të ulen ndjeshëm, duke e rritur rrezikun për probleme shëndetësore.

Autoritetet shëndetësore edhe një herë apelojnë që qytetarët të jenë veçanërisht të kujdesshëm. Më të rrezikuarit janë personat mbi moshën 60-vjeçare, të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël dhe punëtorët që qëndrojnë për një kohë të gjatë në ambiente të hapura.

Nga Instituti i Shëndetit Publik rekomandojnë  të shmanget ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell në periudhën nga ora 11:00 deri në 17:00, të konsumohet rregullisht lëngje, të vishen rroba të lehta dhe me ngjyra të çelëta, ndërsa ambientet të ajrosen në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes. Institucionet kompetente kujtojnë gjithashtu se fëmijët, të moshuarit apo kafshët shtëpiake nuk duhet të lihen asnjëherë në automjete të parkuara. Në rast të simptomave si dhimbje të forta koke, marramendje, të përziera, rrahje të shpejta të zemrës ose lodhje e theksuar, qytetarët duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore, pasi mund të bëhet fjalë për goditje nga të nxehtit.

Sipas parashikimeve të sinoptikanëve, vala e të nxehtit nuk pritet të zbutet së shpejti. Përkundrazi, deri në fund të javës së ardhshme temperaturat do të vazhdojnë të rriten dhe në shumë vende do të tejkalojnë 40 gradë. Temperaturat e larta do të vazhdojnë edhe gjatë orëve të mbrëmjes dhe natës, ndaj freskim pothuajse nuk do të ketë.