Mickoski: Beteja e këtij brezi është të mposhtë urrejtjen, cinizmin dhe llumin që e helmojnë Maqedoninë

Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të shënuar edhe një festë tjetër. Sot jemi mbledhur për ta përkujtuar një kohë që nuk matet me vite, por me ideale, me sakrifica, me ëndrra dhe me njerëz që e dinin se ka çaste në histori kur njeriu nuk jeton më vetëm për veten, por jeton për popullin, për atdheun e tij dhe për brezat që do të vijnë.

Ilindeni nuk është vetëm një datë, është edhe amanet, por edhe karakter. Ilindeni është dëshmia më e fuqishme se ka popuj që mund të pushtohen, mund të sulmohen, mund të tradhtohen, nënvlerësohen, por kurrë nuk mund të nënshtrohen, sepse liria nuk fillon në kufijtë e një shteti, por në zemrën e një populli. Pikërisht për këtë arsye, sot i kremtojmë të dy Ilindenët si një tërësi historike, sepse Krusheva dhe KAÇKM-ja nuk janë dy ngjarje të ndryshme, por dy hallka të së njëjtës histori, dy faqe të të njëjtit libër, të shkruar me besim, guxim dhe vendosmëri të palëkundur që vendi të jetë i vet, dinjitoz dhe i lirë.

Në Krushevë lindi ideja se liria vlen më shumë se jeta. Në KAÇKM, jo larg këtij vendi, në Manastirin “Shën Prohor Pçinjski”, kjo ide mori formën e saj shtetformuese. Në Krushevë u dëshmua se populli nuk resht së ëndërruari. Në KAÇKM u dëshmua se populli që nuk resht së ëndërruari, di edhe të krijojë. Dy figura të shquara udhëhoqën këtë dy procese: kryetari i Republikës së Lavdishme të Krushevës, Nikolla Karev dhe kryetari i parë i KAÇKM-së, Metodija Andonov-Çento.

Edhe delegatët e Mbledhjes së Parë të KAÇKM-së, më 2 gusht 1944, e kërkuan themelin e tyre, bazën mbi të cilën do ta ndërtonin shtetin maqedonas dhe një bazë të tillë të fortë e gjetën para 41 vjet, në Ilindenin maqedonas të vitit 1903, mbi themelet e luftës së komitëve dhe vojvodëve, të cilët katër dekada para tyre e ngritën flamurin e Republikës së Krushevës dhe luftuan për një Maqedoni të lirë dhe autonome, me VMRO-në si bartëse e asaj lëvizjeje. Në çastet kur delegatët e KAÇKM-së, në Manastirin “Shën Prohori i Pçinjski”, miratonin aktet themeluese, vendimet dhe aktvendimet që përcaktuan shtetësinë e atëhershme maqedonase, ata ishin plotësisht të vetëdijshëm se vazhdimësia historike me 2 gushtin e vitit 1903 kishte rëndësi thelbësore për ndërtimin dhe forcimin e identitetit kombëtar maqedonas, prandaj, lidhjen ndërmjet dy Ilindenëve e shënuan qartë edhe në dokumente, si një nga shtyllat kryesore të Maqedonisë autonome.

Deklarata për të Drejtat Themelore të Qytetarëve në Maqedoni u votua sipas modelit të Revolucionit Francez të vitit 1789 dhe me të rregulloheshin liria e shprehjes, e drejta e përkatësisë kombëtare, e drejta e lëvizjes, e drejta e votës, për herë të parë edhe e drejta e votës për gratë, e drejta e besimit fetar dhe e drejta e pronës private. Me këtë dokument, KAÇKM-ja para popullit maqedonas dhe nacionaliteteve të tjera në Maqedoni e paraqiste shtetin e sapoformuar jo vetëm si shtet me rregullim shoqëror socialist dhe me ideologji dominuese komuniste, por edhe si shtet me elemente të rregullimit qytetar-politik. Autor i këtij dokumenti të rëndësishëm ishte Vlladimir Polezhinovski, doktor i shkencave juridike dhe një nga delegatët me arsimimin më të lartë, i cili ishte gjithashtu një nga autorët e pjesës më të madhe të dokumenteve të votuara dhe të miratuara në Mbledhjen e Parë të KAÇKM-së.

Antifashizmi u bë një përcaktim i përhershëm maqedonas, falë politikave të udhëheqjes të atëhershme ushtarako-politike maqedonase, u shmang luftë civile ideologjike me pasoja të përgjakshme – një skenar që u përjetua në hapësirat e ish-Jugosllavisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Delegatët e KAÇKM-së dhe luftëtarët maqedonas të Luftës Çlirimtare Popullore, me vendimet dhe aktet e miratuara më 2 gusht të vitit 1944, konfirmuan dhe vulosën përgjithmonë edhe një të vërtetë historike, të cilën nuk mund ta mohojë apo ta kontestojë asnjë faktor, shtet apo historiografi: lëvizja nacionalçlirimtare maqedonase gjatë Luftës së Dytë Botërore, partizanët maqedonas dhe ushtria maqedonase, me forcat e veta dhe pa ndihmën e askujt nga jashtë, e çliruan atdheun nga okupatorët, duke e verifikuar kështu karakterin autokton dhe të pavarur të shtetësisë maqedonase. Liria nuk erdhi nga jashtë, populli maqedonas dhe të gjitha nacionalitetet luftuan vetë dhe e fituan shtetësinë maqedonase, duke realizuar idealet shekullore të hajdutëve, komitëve, vojvodëve, partizanëve dhe të gjithë luftëtarëve të njohur e të panjohur ndër breza.

Të dashur miq,

Prandaj, kur sot i kujtojmë ilindenasit, kur përulemi para veprës së shtetformuesve të KAÇKM-së dhe kur i përmendim emrat e tyre, këtë nuk e bëjmë vetëm për të shprehur respekt ndaj së kaluarës, por sepse duam t’i shtrojmë vetes një pyetje thelbësore: a jemi trashëgimtarë të denjë të sakrificës së tyre dhe a po e mbajmë me guxim përgjegjësinë që ata na lanë?

Historia nuk kërkon nga ne t’i ndjekim hapat e tyre. Historia kërkon që të dëshmojmë të njëjtin guxim. Sepse çdo brez ka Ilindenin e vet. Disa breza luftuan kundër perandorive. Disa luftuan për shtetin. Disa e mbrojtën lirinë me armë. Ndërsa brezi ynë ka një detyrë ndryshe, por jo më pak të vështirë – ta ruajë shtetin të fortë, ta bëjë atë më të zhvilluar, më të drejtë dhe ta shndërrojë sërish në një vend ku njerëzit do të besojnë se ia vlen të qëndrojnë, të punojnë, të krijojnë, të krijojnë familje dhe ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, në shtëpinë e tyre, në atdheun e tyre.

Prandaj, sot nuk guxojmë të flasim vetëm për të kaluarën tonë të lavdishme. E kaluara nuk duhet të jetë vendi ku strehohemi, por themeli mbi të cilin do të mbështetemi për të ndërtuar të ardhmen. Sepse një popull që jeton vetëm me historinë e vet, dalëngadalë fillon ta humbasë të ardhmen. Ndërsa një popull që e nderon historinë e tij dhe me guxim ndërton të ardhmen, nuk mund të ndalohet nga askush.

Dhe më besoni, këtë e them me bindje të plotë, beteja e këtij brezi është shpresa e fundit për të ardhmen e shtetit. Nuk guxojmë dhe nuk mund të dështojmë. Beteja e këtij brezi është vija e fundit e mbrojtjes dhe forca e fundit e qëndresës ndaj padrejtësive të shumta dhe vendimeve historike, të cilat, ndonëse nuk kemi pasur ndikim në to, kanë qenë të gabuara dhe kanë lënë pasoja mbi ne.

Sot e di se atdheu nuk është ende vendi dhe shteti për të cilin ëndërruan ilindenasit dhe delegatët e KAÇKM-së, por pikërisht kjo është beteja jonë, ta rikthejmë atë atdhe. Dhe më duhet t’ju them se, ndoshta për dikë kjo nuk është e mjaftueshme, por për shumë të tjerë, çdo ditë, hap pas hapi, me të njëjtën vendosmëri si dikur, po bëjmë hapa që rikthejnë besimin dhe krijojnë shembuj se Maqedonia po fiton. Rikujtoni pak se si ishin marrëdhëniet ndërmjet forcave politike vetëm pak vite më parë. Sa të margjinalizuar ishin qytetarët përballë vërshimit të interesave të ndryshme të elitave politike që atëherë ishin në pushtet. Sot, ato janë thellë në opozitë, të përçara nga interesat e tyre personale dhe larg karrigeve të pushtetit, të cilat u mundësonin një jetë të rehatshme. Ato karrige të pushtetit nuk i mbanin me mbështetjen e popullit, por me tradhtitë dhe lëshimet që bënin. Pasojat e hidhura të atyre lëshimeve i ndiejmë edhe sot dhe, ta pranojmë realitetin, nuk ka maqedonas që të mos i kujtojë me dhimbje ato vendime. Ajo që më shqetëson është se udhëheqësit e opozitës, në vend që të garojnë me ide, koncepte dhe propozime, krijojnë një klimë të mbushur me nihilizëm, urrejtje dhe përhapje të frymës së disfatizmit, si zëvendësim për mungesën e një oferte cilësore. Çdo sukses pritet me mosbesim, ndërsa në çdo vështirësi apo betejë tonën ata shohin arsye për gëzim dhe shpresojnë që të mos kemi sukses.

Por dua t’u dërgoj një mesazh se asnjëherë, asnjëherë nuk do të heq dorë nga përpjekja për ta bërë Maqedoninë një vend më të mirë për të jetuar – shtëpinë tonë dhe të ardhmen tonë. Kurrë nuk do ta pranoj politikën e lëshimeve për çështjet që përbëjnë pengesë në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian dhe kurrë nuk do ta zhgënjej popullin. Tradhti në dëm të shtetit dhe të popullit, siç janë bërë në të kaluarën, unë nuk do të bëj kurrë, me asnjë çmim.

Mos bini në grackën e llumit që ata krijojnë. Ju lutem, bëni kujdes dhe mos u besoni dështimeve, cinizmit dhe urrejtjes ndaj çdo gjëje që është e suksesshme. Brezi ynë ka një detyrë po aq të rëndësishme – ta ruajë shpirtin e këtij vendi, ta rikthejë besimin te institucionet, t’ia rikthejë dinjitetin njeriut të ndershëm dhe ta bëjë sërish shpresën forcën më të madhe lëvizëse të shoqërisë sonë.

Sepse sot nuk zhvillohet vetëm një betejë politike. Nuk zhvillohet vetëm një betejë ekonomike. Nuk zhvillohet vetëm beteja për investime të reja, paga më të larta, shkolla më të mira, spitale moderne apo rrugë të reja, ndonëse të gjitha këto janë të domosdoshme dhe ne do të vazhdojmë t’i realizojmë me edhe më shumë vendosmëri.

Sot zhvillohet një betejë shumë më e thellë – beteja për shpirtin e njeriut. Beteja nëse do të lejojmë që frika të bëhet më e fortë se shpresa. Nëse do të lejojmë që cinizmi të bëhet më i zëshëm se ndershmëria. Nëse do të lejojmë që gënjeshtra të bëhet më me ndikim se e vërteta. A do të lejojmë që urrejtja të bëhet më e madhe se dashuria për atdheun. Sepse ka diçka më të rrezikshme se varfëria. Ka diçka më të rrezikshme edhe se çdo krizë ekonomike – ai është çasti kur një popull pushon së besuari në vetvete. Kur fillon të mendojë se çdo përpjekje është e dënuar paraprakisht me dështim. Kur pajtohet me mesataren. Kur mësohet me padrejtësinë. Kur fillon ta pranojë humbjen si gjendje normale.

Ky është helmi më i rrezikshëm që mund të depërtojë në një shoqëri. Dhe këtë helm e përhap gjithmonë i njëjti grup njerëzish, të cilët, ndryshe nga populli që përballet me vështirësi, çdo fundjavë e kalojnë në jahte, duke negociuar dhe duke ofruar lëshime të reja.

Është një helm që nuk shihet. Nuk matet. Nuk analizohet në laboratorë. Por, në heshtje, e shteron energjinë e popullit. E shuan vullnetin për të krijuar dhe dëshirën për të qëndruar. E shkatërron besimin mes njerëzve. Dhe, në fund, e vret shpresën. Ndërsa një popull pa shpresë nuk mund të bëhet kurrë i madh.

Pikërisht për këtë arsye, sot dua ta them qartë se detyra jonë më e madhe nuk është vetëm të qeverisim institucionet. Detyra jonë është të rikthejmë besimin. Të rikthejmë ndjenjën se ky shtet i përket sërish popullit. Se ligji vlen njësoj për të gjithë. Se njeriu i ndershëm nuk do të jetë i fundit. Se puna e ndershme do të shpërblehet. Se dija do të vlerësohet. Se të rinjtë nuk do të detyrohen ta kërkojnë të ardhmen e tyre larg shtëpisë, por do ta shohin atë pikërisht këtu, në vendin e tyre.

Prandaj, kur flasim për mospërkulje, nuk e kemi fjalën vetëm për mospërkuljen e revolucionarëve të vitit 1903. E kemi fjalën edhe për mospërkuljen ndaj njerëzve që krijojnë këtë llum, për mospërkuljen ndaj krimit dhe padrejtësisë. Për mospërkuljen ndaj çdo përpjekjeje për t’i dekurajuar njerëzit e ndershëm. Për mospërkuljen ndaj kujtdo që përpiqet ta vrasë besimin. Sepse armiku i vërtetë i çdo shteti nuk është vetëm ai që e sulmon nga jashtë. Armiku i vërtetë është kushdo që nga brenda e rrënon besimin mes njerëzve, që nxit urrejtje, që përhap bindjen se asgjë nuk ka vlerë dhe se çdo sukses duhet të nënçmohet që në fillim. Por ka një dallim të madh midis kritikës që synon të përmirësojë dhe cinizmit që synon të shkatërrojë. Ka një dallim të madh midis debatit politik dhe helmimit sistematik të hapësirës publike me pesimizëm, urrejtje dhe bindjen se ky shtet nuk ka të ardhme. Ne nuk do ta pranojmë një atdhe të tillë.

Nuk do të lejojmë që fëmijët tanë të rriten duke dëgjuar se suksesi i vetëm është të largohesh. Nuk do të lejojmë që ambicia më e madhe e të rinjve të jetë një biletë vetëm vajtje. Nuk do të lejojmë që shpresa të bëhet objekt talljeje, ndërsa zhgënjimi të paraqitet si urtësi. Sepse asnjë popull nuk ka ndërtuar një shtet të fortë duke i përsëritur vetes çdo ditë se asgjë nuk ka vlerë.

Popujt e mëdhenj bëhen të mëdhenj atëherë kur edhe në kohët më të vështira, vendosin të besojnë më shumë te vetja sesa te frika e tyre. Pikërisht kjo është fryma e Ilindenit.

Të nderuar,

Prandaj, sot dua të them diçka që e ndiej thellë.

Asnjëherë nuk kemi fituar kur kemi qenë të përçarë, ndërsa gjithmonë kemi fituar kur jemi bashkuar rreth një qëllimi të madh. Kështu ka qenë në Krushevë. Kështu ka qenë në KAÇKM. Kështu duhet të jetë edhe sot. Sepse ka gjëra që janë më të mëdha se çdo parti politike. Më të mëdha se çdo funksion. Më të mëdha se çdo mandat dhe se çdo individ. Ky është atdheu ynë. Kjo është shtëpia që na e lanë brezat para nesh dhe që ne kemi detyrimin t’ua dorëzojmë brezave pas nesh edhe më të fortë, edhe më të begatë, edhe më dinjitoze.

Prandaj, beteja jonë sot nuk është betejë kundër dikujt. Beteja jonë është betejë për diçka. Për një shtet ku institucionet do të jenë më të forta se individët. Për një shtet ku ligji do të jetë më i fortë se privilegji. Për një shtet ku dija do të ketë më shumë vlerë se libreza partiake. Për një shtet ku suksesi do të jetë rezultat i punës, e jo i lidhjeve. Për një shtet ku do të mbizotërojë drejtësia, e jo frika. Për një shtet ku çdo fëmijë do të ketë arsye të ëndërrojë dhe çdo prind arsye të besojë se fëmija i tij ka të ardhme pikërisht këtu.

Kjo nuk është një rrugë e lehtë. Por asnjë Ilinden nuk ka qenë i lehtë. Asnjë fitore e madhe në histori nuk është arritur pa sakrifica, pa durim dhe pa këmbëngulje.

Prandaj nuk do të heqim dorë. Nuk kemi të drejtë të lejojmë që urrejtja të bëhet më e rëndësishme se dashuria për atdheun. Nuk kemi të drejtë të lejojmë që pesimizmi të shndërrohet në ideologji kombëtare. Nuk kemi të drejtë të lejojmë që cinizmi ta zëvendësojë vizionin. Dhe, mbi të gjitha, nuk kemi të drejtë të lejojmë që dikush ta vrasë shpresën e popullit.

Sepse shpresa nuk është naivitet. Shpresa është vendim. Vendim të vazhdosh edhe kur është vështirë, të besosh edhe kur shumë të tjerë dyshojnë. Vendim të ndërtosh edhe kur është më e lehtë të rrënosh.

Ndërsa detyra jonë është që një ditë edhe brezat që do të vijnë të flasin për kohën tonë me të njëjtin respekt. Të thonë se ky ishte brezi që e ngriti sërish vendin në këmbë. Brezi që e riktheu besimin, që nuk iu frikësua sfidave, që nuk lejoi që gënjeshtra të bëhet e vërtetë dhe zhgënjimi të bëhet fat.

Të dashur miq,

Dhe kur, pas shumë vitesh, dikush të pyesë se çfarë na udhëhoqi në këto kohë, dua që përgjigjja të jetë e thjeshtë:

Nuk na udhëhoqi frika.

Nuk na udhëhoqi urrejtja.

Nuk na udhëhoqi dëshira për të qenë më të mëdhenj se të tjerët.

Na udhëhoqi dashuria.

Na udhëhoqi ndjenja e detyrës ndaj atyre që e krijuan këtë shtet.

Na udhëhoqi përgjegjësia ndaj atyre që do ta trashëgojnë atë.

Prandaj, sot, nga ky vend ku jehon zëri i historisë, të dërgojmë mesazh që do të dëgjohet në çdo fshat maqedonas, në çdo qytet, në çdo shtëpi dhe në zemrën e çdo njeriu: se do të qëndrojmë të palëkundur kur të jetë më e vështirë, do të mbetemi të bashkuar kur më së shumti do të përpiqen të na përçajnë, do të ruajmë dinjitetin tonë kur të duan të na poshtërojnë dhe nuk do të përkulemi kur të përpiqen të na lëkundin. Dhe se kurrë, kurrë nuk do të heqim dorë nga idealet e Ilindenit dhe të KAÇKM-së, sepse ato nuk janë vetëm pjesë e së kaluarës sonë, por themeli mbi të cilin e ndërtojmë të ardhmen e Maqedonisë.

Prandaj, sot, me krenari, me besim dhe me një ndjenjë të thellë përgjegjësie, t’i premtojmë njëri-tjetrit se do ta ruajmë këtë shtet, se do të punojmë për të, se do ta lëmë më të fortë sesa e trashëguam dhe se gjithmonë do të jemi trashëgimtarë të denjë të ilindenasve.

Rroftë fryma e pavdekshme e Ilindenit!

Rroftë mendimi shtetformues i KAÇKM-së!

Rroftë atdheu ynë i vetëm!

Zoti e bekoftë Maqedoninë!