BDI: 300 milionë denarë investime vetëm në letër, ndërsa shkurtohen fondet për parandalimin dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve

Dokumentet e ribalancit të buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë zbulojnë një skemë seriozisht shqetësuese: nga njëra anë, Qeveria paraqet qindra milionë denarë investime kapitale pa mbulim të qartë financiar, ndërsa nga ana tjetër shkurton fondet për programet preventive, kontrollet e fëmijëve, shëndetin e nënave, luftën kundër kancerit, tuberkulozit, dhe kujdesin për shëndetin mendor.

Në programin për rikonstruksionin dhe zgjerimin e objekteve të institucioneve publike shëndetësore janë vendosur 300 milionë denarë, ose rreth 4.9 milionë euro, për “objekte të tjera ndërtimore”.

Por këto mjete nuk janë paraparë nga buxheti bazë. Ato janë vendosur në kolonën e shpenzimeve nga aktivitetet vetëfinancuese, pra në një llogari që varet nga të ardhurat që vetë Ministria duhet t’i realizojë.

Sipas informacioneve nga burime brenda Ministrisë së Shëndetësisë, kjo llogari realizon vetëm 1-3 milionë denarë në vit.

Prandaj pyesim publikisht:

Si mund të planifikohen 300 milionë denarë nga një burim që, sipas të dhënave të brendshme, siguron vetëm një pjesë minimale të kësaj shume?

Nga do të vijnë realisht këto para?

A ekzistojnë këto mjete, apo janë vendosur vetëm në letër për nevoja të propagandës ditore?

Dhe a po krijohen detyrime ndaj kompanive pa mbulim financiar, duke rrezikuar që më pas shteti të përballet me padi për punë të kryera dhe të papaguara?

Ndërkohë që Qeveria paraqet këtë investim të dyshimtë prej 300 milionë denarësh, dokumentet tregojnë shkurtime konkrete në programet që mbrojnë drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve.

Buxheti i përgjithshëm për mbrojtjen shëndetësore preventive është ulur nga 677.195.000 denarë në 669.995.000 denarë, ose për 7.2 milionë denarë.

Programi për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare ulet nga 18 milionë në 17.1 milionë denarë, përkatësisht për 900 mijë denarë.

Kontrollet sistematike të nxënësve dhe studentëve ulen nga 10 milionë në 9.5 milionë denarë, ose për 500 mijë denarë.

Mjetet për kujdesin parësor shëndetësor ulen nga 65 milionë në 61.75 milionë denarë, përkatësisht për 3.25 milionë denarë.

Programi për parandalimin e tuberkulozit ulet nga 12.5 milionë në 12.2 milionë denarë, ose për 300 mijë denarë.

Programi për shëndetin aktiv të nënave dhe fëmijëve ulet nga 17 milionë në 16.15 milionë denarë, ose për 850 mijë denarë.

Programi për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje ulet nga 23 milionë në 22.4 milionë denarë, përkatësisht për 600 mijë denarë.

Programi “Shëndet për të gjithë” ulet nga 3.5 milionë në 3.33 milionë denarë, ose për 170 mijë denarë.

Mjetet për mbrojtjen shëndetësore të personave me çrregullime mendore ulen nga 65 milionë në 62 milionë denarë, përkatësisht për 3 milionë denarë.

Programi për trajtimin e personave që përdorin drogë ulet nga 2 milionë në 1.9 milionë denarë, ose për 100 mijë denarë.

Kjo është politika shëndetësore e kësaj Qeverie: para virtuale për investime që mund të mos realizohen kurrë dhe më pak para për programe që shpëtojnë jetë.

Kur shkurtohen fondet për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, kontrollet e fëmijëve, zbulimin e hershëm të kancerit, shëndetin mendor dhe mbrojtjen e nënave dhe fëmijëve, pasojat nuk mbeten vetëm në tabelat buxhetore. Ato i ndiejnë qytetarët në mungesën e kontrolleve, diagnostikimit dhe trajtimit në kohë.

BDI kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që menjëherë të publikojë:

* realizimin e llogarisë së vetëfinancimit për tri vitet e fundit;
* burimin konkret të 300 milionë denarëve;
* listën e projekteve dhe kontratave që do të financohen nga kjo shumë;
* detyrimet e papaguara ndaj kompanive;
* arsyet për shkurtimin e secilit program preventiv;
* numrin e qytetarëve dhe shërbimeve që do të preken.

Shëndetësia nuk mund të drejtohet me shifra të sajuara, investime pa mbulim dhe shkurtime në programet që mbrojnë jetën e qytetarëve.

Qeveria duhet të japë përgjigje, jo prezantime propagandistike.