Bashkimi Demokratik për Integrim ka akuzuar Qeverinë për humbjen e një granti prej 60.77 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian, të destinuar për ndërtimin e seksionit të tretë të Korridorit Hekurudhor 8 në drejtim të Bullgarisë.
Në një konferencë për media, ish-zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi, deklaroi se fondet IPA nuk janë më në dispozicion, pasi tenderi i shpallur në vitin 2024 ishte anuluar, ndërsa kontrata për ndërtimin e seksionit të tretë të hekurudhës nuk ishte lidhur brenda afatit të përcaktuar.
Sipas Rexhepit, kjo është konfirmuar edhe në dokumentet zyrtare të dorëzuara nga Qeveria në Kuvend.
Ai theksoi se në fund të vitit 2023 ishte siguruar një paketë financiare prej rreth 560 milionë eurosh për realizimin e projektit. Paketa përfshinte 175 milionë euro kredi nga Banka Evropiane e Investimeve, 175 milionë euro nga BERZH-i, 149 milionë euro grant nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe 60.77 milionë euro grant IPA nga Bashkimi Evropian.
Nga BDI-ja vlerësojnë se humbja e grantit paraqet një mundësi të humbur për zhvillimin ekonomik, modernizimin e infrastrukturës dhe forcimin e lidhjeve të vendit me Bashkimin Evropian.
Rexhepi tha se partia e tij kishte paralajmëruar se zvarritja e projektit dhe ndryshimi i prioriteteve të Qeverisë mund të sillnin pasoja për realizimin e Korridorit 8.
Sipas tij, Korridori 8 është projekt me rëndësi strategjike për vendin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, pasi lidh Detin Adriatik me Detin e Zi dhe mundëson zhvillim më të madh ekonomik dhe forcim të sigurisë rajonale.
BDI kërkoi përgjegjësi për humbjen e fondeve dhe përgjigje nga Qeveria se përse nuk ishin respektuar afatet për realizimin e projektit.
Partia gjithashtu pyeti nëse mungesa e grantit do të duhet të kompensohet në të ardhmen me mjete nga buxheti i shtetit.
“Ne e siguruam financimin dhe e vendosëm Korridorin 8 në agjendën evropiane. Sot kërkojmë përgjegjësi për humbjen e një mundësie historike”, deklaroi Rexhepi.
