Vendimi i Ministrit të Shëndetësisë për të formuar Komisionin Profesional për shqyrtimin e rasteve të pacientëve me sëmundje malinje në Klinikën e Hematologjisë pa asnjë mjek shqiptar nuk është një rast i izoluar. Ai është vazhdim i një politike që prej dy vitesh po e shndërron përjashtimin e shqiptarëve në standard qeverisjeje.
Gjatë këtyre dy viteve kemi parë largimin sistematik të shqiptarëve nga pozitat vendimmarrëse, përjashtimin e tyre nga bordet, komisionet, këshillat drejtuese dhe institucionet shtetërore. Sot, kësaj liste i shtohet edhe një komision profesional me përgjegjësi të drejtpërdrejtë për trajtimin e pacientëve me sëmundje malinje, ku nuk është gjetur vend as për një mjek shqiptar.
Kjo nuk është rastësi. Është politikë. Është dëshmi se Qeveria VMRO- VLEN po ndërton institucione monoetnike, ndërsa VLEN, në vend që të mbrojë përfaqësimin e shqiptarëve, hesht dhe legjitimon çdo vendim diskriminues.
Ata që për dy vite propaganduan ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat si “fitore historike”, sot nuk janë në gjendje të sigurojnë as përfaqësimin minimal të shqiptarëve në komisionet profesionale të Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo është prova më e qartë se premtimet e tyre ishin propagandë, ndërsa realiteti është përjashtimi sistematik i shqiptarëve nga institucionet.
BDI kërkon rishikimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe rikthimin e parimit kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Shqiptarët nuk do të pranojnë të trajtohen si të padukshëm në institucionet që i financojnë dhe që duhet t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve njësoj.
