Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar pasi Qyteti i Shkupit korrigjoi fotografitë në tabelat hyrëse të qytetit, duke vlerësuar se, megjithëse u dëshmua se ndërhyrja ishte e mundur, autoritetet sërish kanë lënë jashtë gjuhën shqipe. Sipas BDI-së, fakti që gjuha shqipe vazhdon të mungojë edhe pas korrigjimit të tabelave dëshmon se bëhet fjalë për një vendim të vetëdijshëm për të injoruar gjuhën shqipe dhe karakterin shumëetnik të kryeqytetit.
“Në një qytet dygjuhësh, përjashtimi i shqipes nga mbishkrimet zyrtare përbën provokim të rëndë politik dhe institucional, si dhe shkelje të ligjit”, thuhet në reagimin e partisë.
BDI kërkon që Qyteti i Shkupit të korrigjojë menjëherë tabelat hyrëse dhe të vendosë edhe gjuhën shqipe, në përputhje me detyrimet ligjore dhe, siç thekson, me realitetin shumëetnik të Shkupit. Partia opozitare paralajmëron se, nëse kjo nuk ndodh, do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore, institucionale dhe demokratike për mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe të dinjitetit të shqiptarëve. Në reagim, BDI adreson kritika edhe ndaj koalicionit VLEN, duke e konsideruar atë përgjegjës politik për, siç thuhet, “modelin e vazhdueshëm të injorimit të shqiptarëve”.
“Përgjegjësia politike për këtë model të vazhdueshëm të injorimit të shqiptarëve bie mbi VLEN-in, të cilët me vasalitetin e tyre kanë krijuar bindjen se interesat dhe të drejtat e shqiptarëve mund të shkelen pa asnjë pasojë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
