Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka akuzuar koalicionin VLEN se ka mashtruar qytetarët shqiptarë për më shumë se dy vite me premtimin për miratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, ndërsa projektligjin e proceduar e ka cilësuar si të cunguar dhe të papranueshëm.
Në një komunikatë për media, BDI vlerëson se VLEN hyri në Qeveri si humbës i zgjedhjeve dhe, sipas saj, në vend që të mbronte interesat e shqiptarëve, pranoi të bëhej mbështetje e një qeverie “pa legjitimitet etnik”, vetëm për të ruajtur pozitat në pushtet.
Sipas BDI-së, për më shumë se dy vite VLEN e ka paraqitur Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat si një arritje historike për shqiptarët, por zhvillimet e fundit, sipas opozitës shqiptare, dëshmuan të kundërtën.
“Për më shumë se dy vite me radhë trumpetuan se po përgatisnin Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, duke e paraqitur si një fitore historike për shqiptarët. Sot u dëshmua se ai nuk është ligji i shqiptarëve, por Ligji i Karakamishevës sepse shqiptarët jo vetëm që nuk e votuan, por edhe e bllokuan procedurën për të”, thuhet në reagim.
BDI pretendon se shumica parlamentare refuzoi të gjitha amendamentet e opozitës shqiptare dhe procedoi një projektligj që, sipas saj, nuk përmban kuota etnike, mekanizma institucionalë për zbatimin e tij dhe as sanksione për shkelësit.
“Pasi refuzuan të gjitha amendamentet e opozitës shqiptare, vendosën ta procedojnë një ligj të cunguar, pa kuota etnike, pa mekanizma institucionalë për zbatimin e tij dhe pa sanksione për shkelësit. Një ligj që nuk garanton përfaqësim të drejtë, por vetëm krijon iluzionin e tij”, theksohet në komunikatë.
Partia opozitare vlerëson se shumica qeverisëse nuk ka siguruar as shumicën e nevojshme të Badenterit për miratimin e ligjit, duke e konsideruar këtë si dëshmi se nuk gëzon mbështetjen e deputetëve shqiptarë.
“Ironia është se edhe këtë ligj të cunguar nuk arrijnë ta miratojnë. Nuk kanë shumicën e nevojshme të Badenterit në Parlament, gjë që tregon qartë se kënd kanë votuar dhe zgjedhur shqiptarët në zgjedhjet e vitit 2024, kujt ia dhanë besimin dhe kush e keqpërdori atë besim për interesa personale e poste qeveritare”, thuhet më tej.
BDI thekson se ka bllokuar procedimin e këtij ligji dhe paralajmëron se do të veprojë njësoj edhe në të ardhmen nëse, sipas saj, tentohen të cenohen të drejtat kolektive të shqiptarëve.
“BDI e bllokoi sot këtë përpjekje për të legalizuar cenimin e të drejtave të shqiptarëve dhe do ta bllokojë çdo herë kur të tentohet që diskriminimi të paketohet si ligj, e mohimi i të drejtave të ambalazhohet si ‘përfaqësim i drejtë dhe adekuat’”, thuhet në reagim.
Në fund të komunikatës, BDI rithekson se do të vazhdojë të mbrojë, siç shprehet, të drejtat kolektive të shqiptarëve dhe standardet kushtetuese që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit.
