Zgjedhja e kabinetit të ri qeveritar, Mickoski: Rikonstruimi sjell energji të re dhe përgjegjësi më të madhe

Screenshot

Nga Jeton Shasivari pres një sistem të drejtësisë ku drejtësia nuk do të jetë privilegj, nga Agon Ferati pres ta forcojë edhe më tej kohezionin dhe besimin në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, Borçe Serafimovski ka obligim ta vazhdojë politikën e mbështetjes së fuqishme për bujqit, ndërsa nga Sasho Klekovski pres që me energji të re t’i vazhdojë reformat në shëndetësi…
Me këto mesazhe drejtuar ministrave të rinj, të shprehura në ekspozenë e tij, kryeministri Hristijan Mickoski prezantoi përbërjen e re të kabinetit qeveritar, duke theksuar se rindërtimi i Qeverisë sjell energji të re dhe përgjegjësi edhe më të madhe.

“Sot nuk kërkoj nga ju besim për individë. Nuk kërkoj besim as për një parti politike. Kërkoj besim për vazhdimin e një procesi. Një proces në të cilin shteti u ngrit sërish në këmbë, në të cilin i rindërtuam themelet dhe treguam se mund të ndërtojmë, të krijojmë dhe të fitojmë përsëri. Jam i bindur se vitet më të mira nuk janë pas nesh, por para nesh. Por ato nuk do të vijnë vetvetiu”, tha Mickoski.

Nga VLEN lavdëruan Sedat Sulejmanin, ministrin e ardhshëm të Kulturës.

“Me angazhimin e tij si zëvendësministër u arrit një zgjidhje historike për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Shqiptare. Ansambli u kompletua me 45 vende të përhershme pune. Përveçse 45 artistë fituan siguri të merituar dhe mbrojtje institucionale, u konsolidua dhe u forcua një institucion i tërë kulturor, i cili për dekada ekzistonte vetëm si projekt në letër”, tha Kaltrina Beqiri.

Por opozita adresoi një sërë kritikash ndaj përbërjes së propozuar të Qeverisë.

“Jepuni njerëzve spektakël, argëtim dhe disa përfitime afatshkurtra që të mos merren me problemet e vërteta dhe me gënjeshtrat që përpiqeni t’ua shisni. Që nga koha e Perandorisë Romake, metafora ‘bukë dhe lojëra’ është simbol i mënyrës se si pushteti e siguron mbështetjen e popullit”tha Snopçe

“Sot nuk ndërrohen ministrat, por i vihet vula një eksperimenti politik, i cili shqiptarëve iu paraqit si revolucion, por u solli zhgënjim të madh. U tregoi diçka të mirë, por u ofroi heshtje dhe u solli vetëm marketing, madje marketing politik. Ky eksperiment quhet VLEN”, tha Hasani

“Ju vendosët që një për qind të udhëheqë të gjitha komunat sa i përket menaxhimit të komunave për zhvillim të barabartë. Ndoshta ka ardhur koha që, në vend të shkarkimit dhe zgjedhjes së ministrave, të emërohej një kryeministër shqiptar”, deklaroi Dauti

“Narrativi i Qeverisë është se ky proces bazohet në dy postulate. Së pari, ndryshimi i prioriteteve dhe së dyti, rifreskimi i kuadrove. Por mbetet pyetja kyçe: a janë të mjaftueshme këto ndryshime kadrovike për ta korrigjuar kursin e anijes qeveritare? A mjaftojnë vetëm rokadat ministrore dhe emërimet e reja?”, theksoi Lukarevska

Në fillim të seancës u shkarkuan nga funksioni ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, ministri i Drejtësisë Igor Fillkov, ministri i Bujqësisë Cvetan Tripunovski, ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive Ivan Stoilkoviq, ministri i Kulturës Zoran Lutkov, ministri i Politikës Sociale Fatmir Limani, ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zllatko Perinski, si dhe Shaban Saliu nga posti i ministrit pa resor.