Policia e Maqedonisë së Veriut ka marrë pjesë në operacionin ndërkombëtar “Global Chain”, një aksion i udhëhequr nga Austria, në të cilin u përfshinë gjithsej 59 shtete, si dhe organizatat ndërkombëtare Europol, Frontex, Interpol dhe Ameripol, me fokus luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandës me migrantë.
Gjatë operacionit, i cili u zhvillua nga 8 deri më 13 qershor, autoritetet në të gjitha shtetet pjesëmarrëse realizuan 1.024 arrestime dhe identifikuan 2.070 viktima të mundshme të trafikimit me njerëz.
Në Maqedoninë e Veriut, gjatë këtij aksioni janë zbuluar tri vepra penale dhe 49 kundërvajtje që lidhen me trafikimin e njerëzve, fëmijëve dhe emigrantëve.
Sipas Policisë, 42 kundërvajtje janë kryer nga shtetas të huaj, ndërsa shtatë nga shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Autoritetet bëjnë të ditur se gjatë operacionit është identifikuar edhe një rast i birësimit të paligjshëm, ndërsa është hapur një hetim për një rast të dyshuar të trafikimit të qenieve njerëzore përmes lypjes së detyruar.
Një nga shkeljet e konstatuara gjatë aksionit lidhet edhe me mashtrimin për qëllimin e qëndrimit në vend, një praktikë që përdoret për të shmangur procedurat ligjore të migrimit.
Operacioni “Global Chain” konsiderohet një nga aksionet më të mëdha të koordinuara ndërkombëtare kundër rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore, duke synuar identifikimin e viktimave, goditjen e grupeve kriminale dhe forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve të zbatimit të ligjit në nivel global.
