Bunjamin Shabani do të jetë pjesë e Struga Trim Lum deri në vitin 2028

Bunjamin Shabani do të jetë pjesë e Struga Trim Lum deri qershorin e vitit 2028…

Pas bisedimeve të zhvilluara në frymë të mirëkuptimit dhe besimit të ndërsjellë, marrëveshja u arrit shumë shpejtë, duke konfirmuar vazhdimësinë e rrugëtimit të përbashkët dhe objektivave sportive të klubit në vitet e ardhshme.

Kësisoj, kapiteni Bunjamin Shabani vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e projektit të Struga Trim Lum, gjë kjo që ka lënë të kënaqur edhe vetë futbollistin, me të cilin jemi bashkë tashmë plotë 6 vite.

Në bazë të kontratës së re, Shabani pjesë e Struga Trim Lum do të jetë deri me 30 qershor të vitit 2028.

“Vërtetë i lumtur për kontratën e re, për më tepër që vazhdojmë bashkëpunimin edhe pas 6 viteve të kaluara. Thjeshtë Struga tashmë është shtëpia ime e dytë, një shtëpi ku ndjehem shumë rehat dhe komod. Sa i përket marrëveshjes së re, e njëjta erdhi shumë shpejtë, kjo pasi të dyja palët kishim vullnet dhe dëshirë për të vazhduar bashkë.” – u shpreh kapiteni Bunjamin Shabani, që kujton edhe ditën e parë pas arritjes në Strugë.

“Ndonjëherë gjërat shihen që në fillim. Sinqerisht që në momentin e parë të arritjes sime këtu në Strugë ndjeva diçka nga brenda, ndjeva që kam ardhur në klubin e duhur, tek njerëzit e duhur, tek familja e duhur sportive. Mikëpritja ishte shumë e ngrohtë, edhe pse ishte vetëm dita e parë, ndërsa atë ngrohtësi e ndjejë edhe tani – vijoi Shabani, dëshira e të cilit është që me Strugën të mbyll edhe karrierën e bujshme futbollistike.

“Pas gjithë këtyre viteve të kaluara te Struga Trim Lum, më shumë se në çdo skuadër tjetër, dëshiroj që edhe karrierën të mbyll këtu me këtë skuadër. Me kontratën e re do mbush 8 vite, ndërsa shpresoj dhe besoj të rrumbullaksoj edhe një dekadë, gjithnjë nëse Zoti na lejon një gjë të tillë dhe jemi në gjendje për të kontribuar për klubin, që tashmë ka zënë një vend të veçantë në zemrën time” – deklaroi Bunjamin Shabani, që gjithashtu ëndërr ka të arrijë sukses me Struga Trim Lum edhe në garat europiane, aty ku numëron plotë 14 ndeshje me fanellën “bardhekuq”.

“Me Struga Trim Lum ëndërroj gjithashtu të arrijmë suksese edhe në garat europiane. Kur them një gjë të tillë, mendoj të paktën të jemi pjesë e grupeve të një kompeticioni. Vitin 2023 ishim shumë afër, mirëpo u eliminuam në ndeshjet e ‘play-off’ nga islandezët e Breidablik. Shpresoj që herën tjetër të bëjmë atë hapin final dhe të kapim grupet, duke shkruar bashkë historinë me Struga Trim Lum edhe në Europë.” – tha futbollisti rekordmen me fanellën e Struga Trim Lum.

Si askush tjetër, Bunjamin Shabani me fanellën e Struga Trim Lum numëron plotë 199 ndeshje, apo 167 ndeshje në Ligën e Parë, 18 në ndeshjet e Kupës së Maqedonisë, 10 në eliminatoret e Ligës së Konferencës dhe 4 në eliminatoret e Ligës së Kampionëve.

Një lider i vërtetë i Struga Trim Lum, me të cilën skuadër njëherit numëron edhe dy tituj kampion në karrierën e tij. Vazhdimi i bashkëpunimit shpresojmë të sjellë edhe ndonjë trofe tjetër në qytetin e bukur të Strugës, aty ku tashmë Shabani ndjehet si në shtëpinë e tij.