Mevlan Ademi sfidon Kostadinovskin nga Tetova: Emrat mund t’i hiqni, por shqipen jo!

Njëri nga figurat më të njohura të protestave studentore për mbrojtjen e gjuhës shqipe, Mevlan Ademi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me emërtimet e rrugëve, duke dërguar një mesazh simbolik nga sheshi “Marshall Tito” në Tetovë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ademi publikoi një fotografi së bashku me aktivistin Enes dhe shkroi:

“Kuj ja mirrte mendja se da e lisha t’shajfem me Enesin sot te Sheshi ‘Marshall Tito’… e ku tjetër përveç se në Tetovën tonë.”

Ai theksoi se vendimet institucionale mund të ndryshojnë emrat zyrtarë, por nuk mund të ndryshojnë identitetin dhe realitetin e përditshëm të qytetarëve shqiptarë.

“Duhet t’ia tregojmë Kostadinovskit se emrat mund t’i heqë, por kot. Mahallet dhe lagjet tona flasin e bërtasin shqip”, ka shkruar Ademi.

Deklarata e tij vjen në kohën kur çështja e emërtimit të rrugëve dhe përdorimit të gjuhës shqipe vazhdon të jetë në qendër të debatit publik në Maqedoninë e Veriut. Reagimi është interpretuar si një kritikë ndaj vendimeve që prekin simbolet dhe identitetin kulturor të shqiptarëve, duke theksuar se përkatësia dhe kujtesa kolektive nuk mund të fshihen me vendime administrative.

Mevlan Ademi u bë i njohur gjatë protestave studentore për mbrojtjen e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe ka qenë një nga zërat më aktivë të kësaj lëvizjeje.