Në seancë plenare në Kuvend, pasditen e sotme ka kaluar Propozim- ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat- në lexim të parë. Nga foltorja janë dëgjuar akuza të ndërsjella dhe interpretime të ndryshme rreth dispozitave ligjore. Deputetët e pushtetit me lëvdata, ndërsa deputetët e opozitës e kritikuan, raporton MIA.
Deputeti Bekim Qoku tha se ky është një ligj i rëndësishëm, bazuar në regjistrimin e popullsisë, trajtimin e barabartë të të gjithë qytetarëve, konform cilësive të tyre.
“Ligji garanton mundësi të barabarta për komunitetet më të vogla që të kenë të gjitha të drejtat në të gjitha nivelet. Ligji garanton të drejtat e qytetarëve”, tha Qoku.
Ai u bëri thirrje deputetëve të lënë mënjanë kalkulimet dhe ta mbështesin këtë propozim- ligj.
Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi tha se thelbi i këtij ligji është zhgënjyes.
“Çdo qytetar duhet të punësohet dhe avancohet sipas njohurive, aftësive, profesionalizmit dhe integritetit. Administrata shtetërore nuk duhet të jetë pre e partisë, as treg etnik, sepse institucionet ekzistojnë për t’u shërbyer qytetarëve. Na duhet një sistem në të cilin kompetencat do të jenë kusht, derisa mundësitë e barabarta do të jenë garanci”, tha Bytyqi.
Ai nënvizoi se ky ligj duhet të përmirësohet ndjeshëm për hir të Kushtetutës, për hir të Marrëveshjes së Ohrit, për hir të besimit dhe për hir të Maqedonisë si shtet i përbashkët i të gjithë qytetarëve të saj.
Më parë, Komisioni parlamentar për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet komuniteteve mbajti debat publik mbi Propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, në lexim të parë i cili sillet në procedurë të rregullt. Ekspertë dhe deputetët shprehën pikëpamjet e tyre mbi ligjin, dhe disa prej tyre dhanë një sërë propozimesh për përmirësimin e tij, por edhe për monitorimin e zbatimit të ligjit.
Ndryshe, Komiteti për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive më 4 qershor ka vendosur që procedura për miratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat të zhvillohet sipas modelit të shumicës së dyfishtë të thjeshtë, i njohur si “Badenteri i vogël”. Vendimi u mbështet nga 11 anëtarë të komitetit, ndërsa dy votuan kundër.
Në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.
Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.
Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.
