Kryeministri Hristian Mickoski sot deklaroi se pas marrëveshjes së arritur mes SHBA-së dhe Iranit dhe rënies së çmimeve të naftës në bursat botërore, pret për momentin çmimet e benzinës të lëvizin në suaza të gjysmë denarit ose po aq për karburantet dizel dhe rreth një denarë e gjysmë deri në dy denarë rritje për benzinën, duke marrë parasysh se vendimi i tanshëm i Komisionit rregullator për energjetikë bazohet në lëvizjet e javës së kaluar, ndërkaq tashmë në javën e ardhshme pritet ulje e konsiderueshme.
“Çmimet e derivateve të naftës prej sot filluan të ulen, dhe vendimi që duhet të marrë KRRE-ja ka të bëjë me javën e kaluar. Sipas llogaritjeve tona, meqenëse nuk vlen më situata e krizës, meqenëse është arritur marrëveshja, pres që çmimet të lëvizin këtu brenda gjysmë denari dhe të mbeten të njëjta kur bëhet fjalë për karburantet dizel dhe rreth një denarë e gjysmë deri në dy denarë rritje për benzinën. Ndërkaq javën tjetër pres rënie të konsiderueshme, sepse që nga sot çmimet në bursat e naftës dhe derivateve të naftës kanë rënë ndjeshëm. I ndoqa gjatë udhëtimit për në Manastir, ato po lëvizin diku rreth 82.83 dollarë për fuçi. Pra, javën tjetër pres një rënie më të madhe dhe më të konsiderueshme”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas hapjes ceremoniale të fabrikës “Brejnçajlld” në zonën industriale Zhabeni në Manastir.
Kryeministri shtoi se edhe më tej mbetemi vendi i cili e ka çmimin më të ulët të benzinave dhe derivateve dizel në rajon.
“Kjo posaçërisht ndjehet këtu në Manastir. Ka pompa të benzinës ku 50 për qind është rritur qarkullimi nga ana e qytetarëve nga fqinji ynë jugor. Kështu që, këto tre muaj, do të thosha, qëndruam në mënyrë mjaft dinjitoze. Në asnjë moment nuk lejuam të kemi ndonjë restriksion në pompat e benzinës, nuk e kufizuam eksportin, përkundrazi, i hapëm portat tona për qytetarët e vendeve fqinje për t’u furnizuar me derivate tek ne”, shtoi Mickoski.
Ai theksoi se kanë siguruar sasi të mjaftueshme të derivateve, nga gjysmë euro mesatarisht për litër dhe përsëriti se derivatet tona ishin më të lira se ato tek fqinjët.
Mickoski shtoi se nëse kjo marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit është përfundimtare dhe me të i vihet fundi kësaj lufte disamujore, që e shkaktoi krizën më të madhe energjetike në mileniumin e fuindit, atëherë “mund të jemi mjaft të lumtur dhe të kënaqur nga ajo se si u përballëm në këto kohëra jashtëzakonisht sfiduese”.
“Nuk u dëshpëruam, nuk thirrëm konferenca për shtyp, por punuam dhe ja erdhëm drejt këtij qëllimi”, tha Mickoski.
