DAP: 1.161 raportime për evazion fiskal në Maqedoninë e Veriut

Evazioni fiskal vazhdon të mbetet një sfidë për institucionet dhe një nga faktorët që dëmton mbledhjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit. Megjithëse qytetarët kanë mundësi të raportojnë parregullsi të ndryshme tatimore, numri i denoncimeve tregon se dyshimet për shmangie të detyrimeve fiskale vazhdojnë të jenë të pranishme. Vetëm gjatë vitit 2025, në Drejtorinë e të Ardhurave Publike (DAP) janë pranuar 897 raportime, ndërsa në pesë muajt e parë të vitit 2026 janë regjistruar edhe 264 raportime të tjera.

Nga DAP thonë se qytetarët dhe personat juridik vazhdimisht paraqesin ankesa dhe raportime për parregullsi të mundshme tatimore dhe shmangie të detyrimeve fiskale, ndërsa ekzistojnë disa mënyra për paraqitjen e tyre.

Qytetarët dhe personat juridikë vazhdimisht paraqesin raporte dhe ankesa për dyshime që lidhen me parregullsi të mundshme tatimore dhe shmangie tatimore. Raportet në DAP dorëzohen nëpërmjet linjës telefonike për raportimin e parregullsive 198, Qendrës së Kontaktit në linjën telefonike 0800 33 000, email-it të DAP-së, nëpërmjet arkivit të Drejtorisë, si dhe nëpërmjet institucioneve të tjera shtetërore që përcjellin raporte që janë në kompetencë të DAP-it”, thonë nga DAP.

Sipas tyre, pas pranimit të raportimeve, njësitë kompetente kryejnë analiza dhe verifikime të pretendimeve të paraqitura, si dhe krahasime me të dhënat që disponon institucioni. Në rastet kur ekzistojnë prova relevante, si kuponë fiskalë, fatura apo dokumente të tjera, mund të iniciohet kontroll tatimor për të verifikuar dyshimet dhe për të përcaktuar nëse ka bazë për masa të mëtejshme.
“Pas marrjes së ankesës, njësitë organizative kompetente të Inspektoratit të Përgjithshëm Tatimor dhe Inspektoratet Rajonale Tatimore kryejnë një analizë të pretendimeve të përmbajtura në raporte, si dhe një kontroll me të dhënat që i ka në dispozicion Drejtoria e të Ardhurave Publike. Bazuar në analizën e kryer, vlerësohet nëse ekziston bazë për fillimin e një kontrolli tatimor dhe hapjen e një urdhri kontrolli, veçanërisht në rastet kur raportet përmbajnë prova relevante”, theksojnë nga atje.

Institucioni bën të ditur se gjatë kontrolleve më së shpeshti evidentohen shkelje që lidhen me mosrespektimin e Ligjit për Regjistrimin e Pagesave me Para në Dorë. Ndër parregullsitë më të zakonshme janë moslëshimi i kuponëve fiskalë, regjistrimi jo i rregullt i qarkullimit, mungesa e sistemeve fiskale të miratuara dhe shkelje të tjera të përcaktuara me ligj. Parregullsi konstatohen gjithashtu edhe në fushën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, Tatimit mbi Fitimin dhe Tatimit mbi të Ardhurat Personale.

“Tatimi mbi Fitimin, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe Tatimi mbi të Ardhurat Personale janë fushat ku gjatë kontrolleve më së shpeshti konstatohen parregullsi që lidhen me bazë tatimore ose detyrim tatimor të përcaktuar gabimisht, me ç’rast merren masa të përshtatshme në përputhje me kompetencat ligjore”, thuhet në përgjigjen e DAP-it.

Pavarësisht mundësive që ofrohen për raportim, një pjesë e qytetarëve ende nuk janë të informuar për procedurat ose nuk ndihen të motivuar për të denoncuar raste të dyshuara të evazionit fiskal. Disa prej tyre nuk e dinë se si funksionon procesi, ndërsa të tjerë konsiderojnë se përgjegjësia për zbatimin e ligjit duhet të mbetet kryesisht te institucionet. Ndryshe, evazioni fiskal në vendin tonë sanksionohet me Kodin Penal dhe mund të dënohet me gjoba ose burgim, në varësi të shumës së tatimit të shmangur. Ndërsa institucionet vazhdojnë kontrollet dhe verifikimet, statistikat tregojnë se lufta kundër ekonomisë gri mbetet një proces që kërkon jo vetëm veprim institucional, por edhe pjesëmarrje më aktive të qytetarëve në raportimin e parregullsive që hasin në përditshmëri.(koha.mk)