Përfaqësuesi i Lëvizjes Studentore, Mevlan Ademi, ka zhvilluar takim me Frederick Swinnen nga Komisioni Evropian dhe Clare Dowdle nga Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), ku është diskutuar për zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut, me theks të veçantë te sundimi i ligjit, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe respektimi i të drejtave të komuniteteve.
Sipas Ademit, gjatë takimit është theksuar nevoja që Bashkimi Evropian të tregojë të njëjtin fokus, vëmendje dhe përkushtim ndaj të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ashtu siç vepron për komunitetet e tjera në rajon.
Ademi në njoftimin e tij në rrjetet sociale shkruan se shqiptarët janë faktor shtetformues dhe se mbrojtja e të drejtave themelore mbetet busulla e çdo procesi demokratik.
Njoftimi i plotë i Mevlan Ademit:
Gjatë vizitës sonë në Bruksel zhvilluam një takim me Frederick Swinnen nga Komisioni Evropian dhe Clare Dowdle nga Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), ku diskutuam mbi zhvillimet e fundit që lidhen me sundimin e ligjit, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe respektimin e të drejtave të komuniteteve në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë bisedës nënvizuam se Bashkimi Evropian duhet të tregojë të njëjtin fokus, vëmendje dhe përkushtim ndaj të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ashtu siç tregon ndaj të drejtave të komuniteteve të tjera në rajon.
Theksuam se shqiptarët janë faktor shtetformues në Maqedoninë e Veriut dhe se BE-ja, si bashkëgarantuese e Marrëveshjes së Ohrit dhe promotore e vlerave demokratike evropiane, ka një rol të rëndësishëm në sigurimin e respektimit të standardeve të njëjta për të gjithë qytetarët, pa dallim. Parimet e barazisë, drejtësisë, dinjitetit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore duhet të mbeten busulla e çdo procesi demokratik dhe integrues.
Në fund, shpreh falënderimin tim për Ambasadorin Rokas dhe Ambasadorin Gonzato për gatishmërinë për të dëgjuar shqetësimet tona, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj proceseve demokratike dhe integruese në vend, si dhe për kontributin e tyre në organizimin e kësaj vizite të suksesshme në Bruksel.
Dialogu, respekti dhe standardet evropiane mbeten rruga më e sigurt drejt një shoqërie më të drejtë, më të barabartë dhe më demokratike për të gjithë.
