Një marrëveshje mes Iranit dhe SHBA-të për t’i dhënë fund luftimeve duket se është pranë finalizimit dhe përfshin rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, ka deklaruar ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.
Në një intervistë për televizionin shtetëror iranian, Araghchi tha se marrëveshja parashikon gjithashtu heqjen e bllokadës amerikane ndaj Iranit, ndërsa bisedimet për programin bërthamor iranian do të zhvillohen në një fazë të mëvonshme.
Zyrtarë amerikanë kanë konfirmuar disa prej elementeve të marrëveshjes, duke theksuar se përfitimet ekonomike për Teheranin do të varen nga përmbushja e detyrimeve të marra përsipër nga pala iraniane.
Konflikti nisi më 28 shkurt, pas sulmeve amerikane dhe izraelite në territorin iranian. Si kundërpërgjigje, Irani goditi objektiva në Izrael dhe në shtete aleate të SHBA-ve në Gjirin Persik, ndërsa praktikisht mbylli Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë.
Pavarësisht armëpushimit të arritur në prill, tensionet kanë vazhduar me shkëmbime sporadike sulmesh. Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi të enjten se kishte anuluar sulme të planifikuara ndaj Iranit pasi negociatorët kishin arritur një “marrëveshje të shkëlqyer”, e cila sipas tij mund të nënshkruhet shumë shpejt.
Sipas zyrtarëve amerikanë, rihapja e Ngushticës së Hormuzit do të ndodhë paralelisht me heqjen e bllokadës ndaj transportit detar iranian. Më pas do të nisë një periudhë 60-ditore negociatash mbi uraniumin e pasuruar të Iranit, material kyç për prodhimin e armëve bërthamore.
Administrata amerikane ka bërë të qartë se nuk do të ketë përfitime ekonomike të menjëhershme për Iranin. Heqja e sanksioneve dhe zhbllokimi i aseteve iraniane do të realizohen gradualisht dhe vetëm pasi të verifikohet zbatimi i angazhimeve nga Teherani.
Marrëveshja përfshin gjithashtu kërkesën që Irani të ndalojë financimin e grupeve aleate në rajon, përfshirë Hezbollahun.
Ndërkohë, kryeministri i Pakistan, Shehbaz Sharif, vend që ka ndërmjetësuar negociatat, deklaroi se memorandumi i mirëkuptimit mes SHBA-ve dhe Iranit është dakordësuar dhe pret vetëm finalizimin.
Araghchi u shpreh optimist se marrëveshja mund të nënshkruhet “brenda ditëve të ardhshme”, por pranoi se ende nuk ka një vendim përfundimtar nga strukturat më të larta të sigurisë në Iran. “Sa të përfundojnë fazat e fundit të negociatave, marrëveshja do të nënshkruhet dhe do të bëhet publike. Jam shumë shpresëplotë”, deklaroi ai.
