Izraeli përgatitet për ofensivë të mundshme në Gaza

Ushtria izraelite po përgatitet për një rikthim të mundshëm të luftimeve “në shkallë të gjerë” në Gaza, teksa bisedimet për armëpushim në Kajro vazhdojnë, transmeton Anadolu.

Sipas raportit të gazetës “Haaretz”, burime ushtarake të njohura me çështjen thanë se shefi i Shtabit të Ushtrisë së Izraelit, Eyal Zamir ka miratuar disa plane operative të paraqitura javët e fundit nga Komanda Jugore e ushtrisë në kuadër të diskutimeve për rifillimin e operacioneve tokësore në Rripin e Gazës.

Megjithatë, raportoi “Haaretz”, burime politike izraelite thanë se qeveria nuk ka miratuar planet për zgjerimin e luftimeve, pavarësisht përpjekjeve të kryeministrit Benjamin Netanyahu për t’u përgatitur për një ofensivë tjetër. Sipas gazetës, ushtria izraelite pretendon se grupi palestinez Hamas ka rindërtuar kapacitetet e tij, duke e përdorur këtë si justifikim për rifillimin e luftës në Gaza.

Ndërkohë, sipas gazetës, fraksionet palestineze po zhvillojnë bisedime në Kajro nën ndërmjetësimin e Egjiptit, me qëllim arritjen e marrëveshjeve për qeverisjen e ardhshme të Gazës dhe çështjen e çarmatimit të Hamasit. Burime të afërta me negociatat paralajmëruan se shumë detaje mbeten ende të pazgjidhura dhe thanë se disa raportime të publikuara ditët e fundit nuk pasqyrojnë marrëveshjet përfundimtare mes palëve.

Kryetari i Nismës Kombëtare Palestineze, Mustafa Barghouti dhe një nga drejtuesit e fraksioneve që marrin pjesë në bisedime, tha për “Haaretz” se fraksionet po kërkojnë një kornizë graduale. Sipas tij, Izraeli po përpiqet të krijojë kushte që do t’i shtynin banorët e Gazës drejt migrimit të detyruar.

Duke iu referuar deklaratave të ministrit izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz, Barghouti tha se politika aktuale izraelite po përkeqëson kushtet tashmë të rënda të jetesës në enklavë për të inkurajuar largimin e popullsisë.

Duke folur për presionin ndërkombëtar ndaj Netanyahut, Barghouti tha se ndërmjetësuesit e kuptojnë se, përveç presidentit amerikan Donald Trump, pothuajse asnjë aktor tjetër nuk mund të ushtrojë presion efektiv mbi kryeministrin izraelit. “Armët nuk janë problemi i parë që duhet zgjidhur. Nëse zbatohet faza e parë e mirëkuptimit, do të jetë e mundur të kalohet në fazën tjetër dhe të trajtohen edhe çështjet e tjera”, tha Barghouti.

Sipas të dhënave palestineze, gjenocidi i Izraelit në Gaza që nga tetori i vitit 2023 ka shkaktuar vdekjen e afër 73 mijë palestinezëve dhe plagosjen e më shumë se 173 mijë të tjerëve, shumica gra dhe fëmijë. Teksa Hamasi respektoi kërkesat e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit, Izraeli u tërhoq nga zotimet e tij dhe vazhdoi shkeljet e marrëveshjes ndërsa bisedimet për kalimin në fazën e dytë kanë mbetur të bllokuara.

Izraeli gjithashtu ka penguar hyrjen në Gaza të sasive të dakorduara të ushqimeve, barnave, furnizimeve mjekësore, materialeve për strehim dhe shtëpive të parafabrikuara, në një kohë kur rreth 2.4 milionë palestinezë, përfshirë 1.5 milionë të zhvendosur, jetojnë në kushte katastrofike.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor të vitit 2025, ushtria izraelite ka vrarë të paktën 978 palestinezë dhe ka plagosur 3.097 të tjerë në sulme pothuajse të përditshme.