Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka marrë pjesë në debatin publik me temë “(Mos)zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve: Zgjidhjet dhe Pasojat”, të organizuar nga Lëvizja Studentore dhe Democracy Lab, me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë.
Siç raporton Tetovasot, në debat morën pjesë edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shkup, ndërsa diskutimet u fokusuan te sfidat dhe pasojat e moszbatimit të plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Meidani e cilësoi debatin si konstruktiv dhe të vlefshëm, duke theksuar se argumentet juridike të paraqitura tregojnë qartë se bëhet fjalë për një të drejtë që buron nga Kushtetuta dhe nga Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, e cila meriton një zgjidhje të plotë dhe afatgjatë.
“Një dialog i tillë forcon besimin tek angazhimi qytetar dhe i shërben barazisë së të gjithë qytetarëve para ligjit”, ka theksuar ambasadori shqiptar, përcjell Tetovasot.
Ai falënderoi organizatorët, panelistët, akademikët, analistët dhe studentët për kontributin e tyre në debat, si dhe veçoi angazhimin e Ambasadorit të Kosovës, Florian Qehaja, për pjesëmarrjen aktive në diskutim.
Sipas Meidanit, Ambasada e Shqipërisë do të vazhdojë të mbështesë çdo iniciativë dhe dialog që kontribuon në forcimin e proceseve demokratike, shtetit të së drejtës dhe respektimin e të drejtave të garantuara me ligj.
