Aktivisti dhe përfaqësuesi i lëvizjes studentore shqiptare, Mevlan Ademi, ka shprehur gatishmërinë për dialog me profesorë të juridikut, ekspertë të fushës dhe përfaqësues të shoqërisë civile, në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje për çështjet që prekin të drejtat e shqiptarëve në vend.
Megjithatë, Ademi thekson se çdo proces dialogu duhet të ketë për qëllim një zgjidhje të plotë dhe të drejtë, duke refuzuar, siç shprehet ai, “zgjidhjet gjysmake, kompromiset diskriminuese apo masat e përkohshme që vetëm e shtyjnë problemin për nesër”.
“Kërkojmë një zgjidhje të drejtë, të plotë dhe të qëndrueshme. Një zgjidhje që respekton ligjin, dinjitetin dhe parimin e barazisë”, ka deklaruar Ademi.
Sipas tij, përgjegjësia për të siguruar barazi dhe drejtësi nuk lidhet vetëm me gjeneratën e sotme, por edhe me brezat që do të vijnë.
“Këtë ia kemi borxh brezit tonë, që sot kërkon shpresë dhe drejtësi. Por edhe brezave që do të vijnë pas nesh, të cilët meritojnë të trashëgojnë institucione më të forta, më të ndershme dhe një shoqëri ku të drejtat nuk negociohen, por respektohen”, ka theksuar ai.
Në fund të reagimit të tij, Ademi ka përsëritur mesazhin që, sipas tij, përmbledh thelbin e kërkesave të studentëve dhe qytetarëve shqiptarë: “Barazi. Dinjitet. Drejtësi.”.
Ndryshe, Lëvizja Studentore, në bashkëpunim me Democracy Lab, do të organizojë të martën, më 9 qershor, një debat publik me temën “(Mos)zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve: Zgjidhjet dhe Pasojat”.
Debati do të mbahet në INNOX Innovation Center në Shkup, me fillim nga ora 17:00, dhe synon të hapë diskutim mbi sfidat dhe shqetësimet e ngritura nga studentët lidhur me zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Në panel do të marrin pjesë Prof. Dr. Mersim Maksuti, Prof. Dr. Vlona Pollozhani, Prof. Dr. Arta Mero dhe ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.
