Kosova sot voton, zgjedhjet e treta brenda më pak se një viti e gjysmë

Qytetarët e Kosovës do të përpiqen sot t’i japin drejtim një krize që, sipas vëzhguesve, buron nga ambicia për kontroll të plotë të pushtetit dhe mungesa e gatishmërisë për kompromis. Dalja prej saj tani është e kufizuar në vetëm pak skenarë.

Zgjedhjet e sotme janë të tretat brenda më pak se një viti e gjysmë, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe një tjetër palë të parakohshme më 28 dhjetor.

Të parat dështuan të prodhojnë qeveri, ndërsa të dytat, ndonëse i dhanë Lëvizjes Vetëvendosje mbi 51% të votave – shumicën më të madhe në Kosovën shtet – nuk sollën marrëveshje për presidentin, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Kjo çoi automatikisht në shpërndarjen e Kuvendit mesnatën e 28 prillit – vetëm dy muaj e gjysmë pas konstituimit të tij – dhe dy ditë më vonë ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, shpalli zgjedhjet e reja.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se në garën e 7 qershorit marrin pjesë 22 parti politike dhe tri koalicione parazgjedhore.

Lëvizja Vetëvendosje hyn në zgjedhje në koalicion me tri subjekte të vogla – Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane – ndërsa tri partitë kryesore opozitare, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, garojnë të vetme.

Njësoj e vetme garon edhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar.

Pjesë e kësaj gare është edhe ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila i prin listës për deputetë të LDK-së, partisë ku ishte pjesë përpara mandatit presidencial.

Të drejtë vote, sipas listës së votuesve të miratuar nga KQZ-ja, kanë rreth dy milionë qytetarë, përfshirë diasporën. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit votuan rreth 900 mijë prej tyre, ose rreth 45 për qind e elektoratit.

Për organizimin e këtij procesi, Qeveria në detyrë e Kosovës miratoi kërkesën e KQZ-së për ndarjen e rreth 10.9 milionë eurove. Për krahasim, zgjedhjet e dhjetorit kishin një buxhet të planifikuar prej 11.5 milionë eurosh, ndërsa shpenzimet reale, sipas raporteve të KQZ-së, arritën në rreth 7.4 milionë.