OKB: Lufta në Iran po i shtyn gjashtë milionë të tjerë drejt urisë akute

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin ka bërë të ditur se miliona njerëz të tjerë po shtyhen drejt urisë akute si pasojë e efekteve të luftës me Iranin.

Bllokada e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës më parë kalonte rreth një e pesta e naftës së përdorur në botë, ka kontribuar në rritjen e çmimeve të ushqimeve.

Drejtori ekzekutiv në detyrë i Programit Botëror të Ushqimit (WFP), Carl Skau, tha se lidhja ndërmjet çmimit të energjisë dhe ushqimit “është shumë e fortë në shumë vende” dhe se “kur çmimet e ushqimeve rriten, njerëzit më të varfër hanë më pak”.

Sipas analizës së WFP-së, edhe 2.5 milionë njerëz në Somali, 2.3 milionë në Afganistan dhe 1.3 milionë në Sri Lanka tashmë po përballen me vështirësi për të përmbushur nevojat e tyre bazë ushqimore.

“Këto pasoja pritet të përkeqësohen në muajt e ardhshëm, edhe nëse kriza në Lindjen e Mesme zbutet”, thuhet në raport.

Në mars, në ditët e para të luftës, agjencia parashikoi se deri në fund të qershorit rreth 45 milionë njerëz mund të shtyheshin drejt pasigurisë ushqimore.

Ky numër i shtohet 318 milionë njerëzve në mbarë botën që tashmë përballen me pasiguri ushqimore.