“Shkupi me Shqipërinë”, mbështetje për protestat kundër projektit në Zvërnec

Me pankarta me mbishkrimin “Shkupi me Shqipërinë” dhe me simbolin e flamengos, qytetarët u mblodhën sot para Ambasadës së Shqipërisë, në Shkup, duke dërguar mesazh mbështetjeje kundër projektit në Zvërnec. Ambientalisti Ngadhnjim Mehmeti tha se protesta është në përkrahje të të gjithë atyre që duan të mbrojnë tokat shqiptare.
“Sot jemi këtu para ambasadës shqiptare për të dhënë përkrahjen tonë për protestat që po bëhen për shitjen e tokave dhe dëmtimin e natyrës që pretendojnë t’i bëhet tokës shqiptare, natyrisht që ambienti, natyra, ekologjia nuk njohin kufij as politik e as gjeografik dhe ne jemi në përkrahje të fortë të bashkëmendimtarëve tonë ambientalist dhe të atyre që duan ta mbrojnë token shqiptare dhe nuk kemi tokë për t’i shitur askujt kudoqoftë ajo. A do të merrni pjesë në protestë atje? Po, me gjasë, do të shohim si po shkojnë zhvillimet atje dhe mund t’i përkrahim edhe në Tiranë” tha; Ngadhnjim Mehmeti, Ambientalist.

Pas përfundimit të protestës, së organizuar nga sektori civil në oborrin e ambasadës së Shqipërisë u la pankarta me mbishkrimin “Shkupi është me Shqipërinë” dhe u vendos edhe një balon në formë flamingoje, në shenjë të mbrojtjes së mjedisit dhe të biodiversitetit në Zvërnec.

Kundërshtimi ndaj projektit të planifikuar në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, në Shqipëri, ka hyrë në ditën e pestë, me qytetarë, aktivistë mjedisorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile që vazhdojnë protestat në Tiranë. Lëvizja protestuese nisi pas tensioneve të regjistruara në zonën e Zvërnecit dhe debatit publik për projektin turistik që pritet të zhvillohet në këtë territor. Protestuesit kërkojnë anulimin e projektit, duke argumentuar se ai rrezikon mjedisin dhe prek interesat e komunitetit lokal. /Alsat.mk