UNESCO pas dhjetë ditësh do të mbërrijë për inspektim në Ohër dhe Strugë

UNESCO pas dhjetë ditësh do të mbërrijë për inspektim në Ohër dhe Strugë. Sipas informacioneve të siguruara nga Alsat, vizita ka shumë të ngjarë të zhvillohet në mes të qershorit, përkatësisht nga 12 deri më 14 qershor. Ndër lokacionet që do të vizitohen do të jetë edhe traseja ku fillimisht ishte paraparë të ndërtohej autostrada Trebenishtë- Qafë-Thanë, për të cilën UNESCO ka vërejtje, pasi kalon përmes një lokaliteti arkeologjik. Nga Ministria e Transportit për Alsat bëjnë të ditur se, së bashku me disa ministri të tjera dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale përgjatë Ohrit, po përgatitet plani për vizitën e përfaqësuesve të UNESCO-s.

“Lidhur me autostradën nga Trebenishta deri te pika kufitare Qafë Thanë, tashmë kemi informuar se ky projekt është prioritet i Qeverisë. Ai është përfshirë në planin për zhvillimin e infrastrukturës dhe ndërlidhjen rajonale dhe në këtë drejtim do të shqyrtohen të gjitha rekomandimet e UNESCO-s për ndërtimin e kësaj pjese të autostradës”, thanë nga Ministria e Transportit.

  • Do të shqyrtohen të gjitha rekomandimet e UNESCO-s për ndërtimin e kësaj pjese të autostradës

Se lidhja me Strugën nuk është paraparë në projektin aktual Trebenishtë–Qafë Thanë, së fundmi e konfirmoi edhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski. Ai tha se projekti ishte paraparë si sistem i mbyllur me hyrje dhe dalje, përkatësisht hyrja të jetë te Trebenishta, ndërsa dalja para Qafë-Thanës. Megjithatë, ai theksoi se ekziston një projekt tjetër që është në shqyrtim dhe për të cilin do të bisedohet me UNESCO-n.

“UNESCO pranon vetëm ndërhyrje në korridoret ekzistuese infrastrukturore dhe në projektet ekzistuese infrastrukturore. Ne nuk po themi se nuk do të ndërtojmë, por vetëm po themi se nëpër cilën trase do të ndërtojmë. Një zgjidhje e mundshme është që rruga të kalojë nga Podmolja, duke pasur parasysh se aktualisht ekziston një trase prej andej dhe të ndiqet ajo trase e cila natyrisht arrin deri në Qafë Thanë. Deri në Qafë Thanë do të kemi rrugë ekspres ose autostradë. Me variantin e dytë, Struga do të jetë e lidhur dhe pikërisht për këtë arsye po shqyrtojmë opsionin që rruga të kalojë nga Podmolja”, deklaroi Aleksandar Nikolloski – Ministër i Transportit.

Nikolloski thotë se askush nuk do të lejojë shkatërrimin e një lokaliteti të rëndësishëm arkeologjik dhe se vërejtjet kanë qenë që në kohën kur ishte nënshkruar marrëveshja me konsorciumin “Bektel dhe Enka”. Ne pyetëm edhe Komunën e Strugës se cili është qëndrimi i saj lidhur me këtë çështje dhe cila është zgjidhja më e mirë për Strugën, si dhe çfarë do t’u propozojë Mendi Qyra përfaqësuesve të UNESCO-s, por nuk morëm përgjigje./Alsat.mk.