Pas konsultimeve dhe debateve, Propozim-ligji për mbrojtje nga duhani kalon në Qeveri

Në seancë qeveritare kaloi Propozim-ligji për Mbrojtje nga Duhani, i cili parashikon masa më të rrepta për mbrojtjen e shëndetit publik dhe uljen e përdorimit të produkteve të duhanit. Me ndryshimet e propozuara ndalohet pirja e duhanit në hapësirat publike të mbyllura, kufizohet reklamimi dhe promovimi i produkteve të duhanit, ndërsa forcohet mbrojtja e të rinjve nga qasja në këto produkte.

Ligji përfshin edhe rregulla për cigaret elektronike dhe produktet e tjera me nikotinë, si dhe kontrolle më të rrepta për zbatimin e dispozitave. Objektet gastronomike do të kenë afat prej një viti t’i përshtaten rregullave të reja para se ato të hyjnë në fuqi.

“Ky ligj është rezultat i një procesi të gjatë konsultimesh, analizash dhe harmonizimi me institucionet, inspektoratet, sektorin e gastronomisë, industrinë, ekspertët, qytetarët dhe me mbështetjen profesionale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Me këtë ligj vendosim rregulla më të qarta për hapësirat publike dhe të punës, për tarracat, për produktet e reja të duhanit dhe nikotinës, për reklamimin dhe promovimin, si dhe për mbrojtjen e fëmijëve pranë shkollave, institucioneve shëndetësore dhe hapësirave ku ata qëndrojnë”, tha ministri i shëndetësisë, Azir Aliu.

Megjithatë, në fillim propozim-ligji ka nxitur reagime nga subjektet gastronomike dhe industria e duhanit, të cilat kanë shprehur shqetësime për ndikimin e masave të reja në biznes dhe treg. Pavarësisht kundërshtimeve, Qeveria thekson se ligji synon para së gjithash mbrojtjen e shëndetit publik.