Humb jetën një 23-vjeçar nga Tetova në Austri, trupi është gjetur në një liqen

Një 23-vjeçar nga fshati Saraqinë i Tetovës ka humbur jetën në Austri, pasi ishte raportuar i zhdukur që nga e hëna. 

Ai u gjet i vdekur në liqenin Faker, ndërsa shkaku i vdekjes ende nuk është konfirmuar dhe është urdhëruar autopsi, përcjell “TV21”.

Sipas mediave austriake, alarmi u dha pasi në breg të liqenit u gjetën sende që i përkisnin të zhdukurit, duke nxitur një operacion të madh kërkimi nga policia, zjarrfikësit dhe shërbimet e shpëtimit në ujë.

Në kërkim u përfshinë edhe 12 zhytës, një helikopter policie dhe disa njësi emergjente, ndërsa zona u bllokua dhe pushuesit u evakuuan. Pas rreth 40 minutash kërkimi nën ujë, zhytësit e gjetën trupin në fund të liqenit. 

I riu ishte pronar i një kafeneje, ndërsa ishte parë për herë të fundit në Drobollach para se familja ta raportonte të zhdukur. Policia austriake po vazhdon hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.