Gjatë 24 orëve të fundit, në gjithë territorin e vendit, nëpunësit policorë kanë privuar nga liria 16 shoferë për drejtim të pakujdesshëm të automjeteve.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, 14 prej tyre kanë drejtuar automjet pa patentë shoferi. Ndër ta është një i mitur, një person me ndalim aktiv për drejtim dhe një tjetër që ka qenë edhe pa leje dhe nën ndikimin e alkoolit.
Në Shkup janë regjistruar tre raste të drejtimit pa patentë shoferi, në Tetovë katër, në Manastir pesë, ndërsa në Makedonski Brod dhe Veles nga një rast (përfshirë edhe një të mitur). Në Veles, një person është kapur duke drejtuar automjet pa patentë shoferi dhe nën ndikimin e alkoolit, ndërsa një tjetër me ndalim aktiv për drejtim.
Pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre do të parashtrohen kallëzime përkatëse penale. MPB u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat, të mos drejtojnë automjet pa patentë shoferi, pa leje të vlefshme ose nën ndikimin e alkoolit, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë.
