Kongresmenët amerikanë takojnë studentët dhe opozitën shqiptare: Në rend dite gjuha, barazia dhe Ohri

Dy kongresmenë amerikanë, Keith Self dhe Suhas Subramanyam, do të zhvillojnë sot takime të ndara me përfaqësues të Lëvizjes Studentore shqiptare dhe me liderë të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ku në fokus do të jenë shqetësimet lidhur me, siç vlerësohet nga pjesëmarrësit, përpjekjet për rrënimin e frymës së Marrëveshjes së Ohrit dhe cenimin e të drejtave të shqiptarëve, shkruan gazeta KOHA.

Sipas informacioneve, në orën 17:30 në Prishtinë, ku aktualisht janë dy kongresmenët amerikanë, pritet të mbahet takimi me përfaqësues të Lëvizjes Studentore, ku do të marrë pjesë edhe Mevlan Ademi së bashku me përfaqësues të studentëve që kanë organizuar protestat e fundit për mbrojtjen e përdorimit të gjuhës shqipe dhe zbatimin e të drejtave kushtetuese e ligjore.

Burime nga organizatorët bëjnë të ditur se studentët do të paraqesin shqetësimet e tyre lidhur me moszbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, si dhe paralajmërimet për, sipas tyre, kthim prapa në raport me të drejtat e fituara pas Marrëveshjes së Ohrit.

Ndërkaq, në orën 20:30 pritet që kongresmenët Keith Self dhe Suhas Subramanyam të zhvillojnë takim edhe me liderët e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ku do të marrin pjesë Ali Ahmeti, Arben Taravari dhe Zijadin Sela.

Temë kryesore e diskutimeve pritet të jenë zhvillimet politike në vend, pozicioni i shqiptarëve dhe shqetësimet për tendencat që, sipas opozitës shqiptare dhe Lëvizjes Studentore, rrezikojnë parimet e barazisë dhe bashkëjetesës të garantuara me Marrëveshjen e Ohrit.

Në ndërkohë, dy kongresmenët amerikanë deri tani kanë vizituar Preshevën, ku kanë takuar dhe diskutuar me zyrtarë shqiptarë në Luginë, ndërda janë prit edhe nga krerët më të lartë të Kosovës. Keith Self dhe Suhas Subramanyam janë dy kongresmenët amerikanë me ndikim dhe të cilët në vazhdimësi kanë mblshtetur kauzat dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni dhe Serbi, ndërsa lobojnë për mblshtetjen e parezervë të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.