Komisioni Evropian ka vënë në dispozicion 49 milionë euro për Shqipërinë, 44.2 milionë euro për Malin e Zi dhe 65.7 milionë euro për Maqedoninë, si pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Nga Komisioni për Evropian thonë se transaksionet vijnë pas kërkesës së tretë për pagesë dhe vlerësimit pozitiv të Komisionit për hapat e reformave të ndërmarra në fushat e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve dhe inovacionit në Shqipëri dhe Mal të Zi, si dhe arsimit dhe dixhitalizimit në Maqedoni.
“Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar në vitin 2023, synon t’u sjellë përfitimet e anëtarësimit vendeve partnere në rajon edhe para pranimit të tyre në BE, synon të integrojë partnerët në tregun e vetëm të BE-së, të përmirësojë bashkëpunimin ekonomik rajonal, të thellojë reformat e lidhura me BE-në dhe të rrisë financimin para-pranimit. Kjo, nga ana tjetër, përshpejton procesin e zgjerimit dhe rritjen e ekonomive partnere”, kujtojnë nga Brukseli.
Me pagesën e sotme, shuma totale e shpërndarë në kuadër të këtij fondi arrin në 212.8 milionë euro për Shqipërinë, 89.3 milionë euro për Malin e Zi dhe 142.1 milionë euro për Maqedoninë e Veriut.
Komisioni Evropian ndan fonde nga ky Plan Rritjeje individualisht për secilin vend, dhe vetëm kur ai përmbush kushtet specifike të “Axhendës së Reformës” së tij, një dokument që rendit reformat e sakta për të cilat vendi është zotuar.
