Mexhiti: Kazinotë po mbyllen, radhën e kanë kreditë e shpejta

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti përmes një video të shpërndarë në rrjetin e tij Facebook ka dhënë një mesazh për lojërave të fatit, pasi Qeveria së fundmi përmes një propozim-ligji ka vendosur kontrolle më të rrepta në mbrojtjen e qytetarëve nga pasojat e bixhozit.

Sipas Mexhitit me veprimet konkrete kundër kësaj dukurie, sillen rregulla më të fuqishme në mbrojtjen e familjeve. “Sot po fillon lufta jonë ligjore me bixhozin dhe kumarin. Kemi premtuar t’i mbrojmë familjet tona nga ky mallkim. Sot po nisim me veprime konkrete. Po vendosim 500 metra distancë nga shkollat, po ndalojmë reklamat e bixhozit. Po sjellim rregulla më të forta për mbrojtjen e familjeve”, ka thënë Mexhiti.

Ai thotë se vite me radhë flitej e protestohej kundër bixhozit, por kazinotë shtoheshin përditë, duke theksuar se sot pa protestë, pa zhurmë, po jepet zgjidhje ligjore. ”Sepse kur japim zotim para qytetarëve , nuk bëjmë propagandë, e bëjmë realitet. Kazinotë po mbyllen, radhën e kanë kreditë e shpejta”, shtoi Mexhiti.