LSDM dhe VMRO-DPMNE vazhdojnë përplasjet për identitetin maqedonas dhe rrugën evropiane të vendit. Subjektet akuzojnë njëra tjetrën se punojnë kundër interesave të vendit. Nga LSDM shprehen se derisa NATO dhe BE paralajmërojnë për kërcënime hibride dhe ndikime ruse në Ballkanin perëndimor, Mickoski vazhdon ta shtyjë vendin drejt izolimit dhe agjendave të huaja.
Edhe sa mesazhe duhet të vijnë që të kuptojmë se Mickoski dhe organizata e tij punojnë kundër interesave maqedonase? Gjysma e VMRO-GOK kanë pasaporta bullgare, ministra, deputetë dhe familjet e tyre. Mickoski nuk dëshiron BE sepse BE-ja nuk do të thotë drejtësi, gjyqësi të pavarur dhe fund të krimit. Ai dëshiron Maqedoni të izoluar ku ai dhe të afërmit të tij munden lirisht të vjedhin e qytetarët të presin në kufi dhe të ngujuar me dekada, thonë nga LSDM.
VMRO akuzon LSDM-në se janë në një vijë me Bullgarinë dhe pajtohen që maqedonasit të quhen si “maqedono-verior”. Thonë se Filipçe është lobist i Bullgarisë për futjen e bullgarëve në Kushtetutë e më pas edhe ndryshimin e identitetit, gjuhës, kulturës e historisë.
“Piuni i Radevit, Venko Filipçe nuk ka asgjë kundër të quhemi maqedono-verior. Filipçe është mohues më i madh i Maqedonisë dhe popullit maqedonase madje më i madh se Zaev dhe se Bullgaria dhe pushtetet e atjeshme të cilët na quajnë maqedono-verior. Filipçe përsëri thotë pse mos ti fusim bullgarët në Kushtetutë kur kjo nuk përbën asnjë rrezik dhe nuk rrezikon identitetin tonë. Këtë e thotë derisa ministrja bullgare Petrova Çamova thotë se ne jemi “maqedonas-verior”, thotë Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
Ditëve të fundit LSDM ka bërë presion mbi pushtetin që të përmbushë kërkesën e Bullgarisë për të përfshirë bullgarët në Kushtetutë ndërsa nga pushteti këmbëngulin se për momentin nuk ka kushte për një gjë të tillë. Në Kuvend BDI madje ngriti iniciativë për mbledhje të nënshkrimeve për ndryshime Kushtetuese por nuk mori mbështetje nga asnjë parti politike. /Alsat.mk
