Nga krim historik në projekt historik, si ndryshoi qasja e VMRO-së ndaj korridorit 8?

Nga krim historik në projekt historik. Korridori 8 ka pasur vlerësime të ndryshme nga VMRO-DPMNE varësisht nëse partia ishte në opozitë apo në pushtet. Alsat dërgoi pyetje në Qeveri nëse kanë kryer hetime mbi mënyrën si janë zgjedhur nënkontraktuesit e korridorit nga pushteti i kaluar pasi atëkohë, projekti llogaritej si kriminel. Megjithatë, nga Qeveria nuk morëm asnjë përgjigje. Ministri i Transportit sot numëroi milionat e miliardat që po investojnë në këtë korridor.

“Maqedonia për momentin investon 2 miliardë e 100 milionë euro vetëm në zhvillimin e infrastrukturës rrugore në korridorin 8. Autostrada nga Ohri në Kërçovë do të kushtojë rreth 800 milionë euro. Lidhja e këtij korridori deri në Qaf Thanë pa dallim cilën trase do ta zgjedhim, do të kushtojë rreth 250 milionë euro. Kërçovë – Bukojçan do të kushtojë 220 milionë euro. Bukojçan – Gostivar 590 milionë euro. Gostivar – Tetovë rreth 90 milionë euro, deklaroi Aleksandar Nikolloski, ministër i transportit.

Por si e cilësonte VMRO projektin e korridorit 8 derisa ishte në opozitë?

“Kemi dy opsione, ta shfuqizojmë marrëveshjen të shkojmë në arbitrazhë të paguajmë qindra miliona euro dhe të mos kemi autostradë ose të optimizojmë kontratën për çka vetëm se kemi negociata me çka do të përshpejtohej projekti. Kështu si është nënshkruar nga kjo qeveri është i pa zbatueshëm për shkak të problemeve juridike dhe teknike”, pati deklaruar Hristijan Mickoski më 16 maj 2024, atë kohë opozitë.

VMRO akuzonte gjithashtu se për kompani mbikëqyrëse ishte përzgjedhur një kompani që prodhonte veshje të brendshme dhe e njëjta për këtë ishte paguar mbi 8 milionë euro. Sipas kreut të socialdemokratëve, Venko Filipçe, këto akuza janë thjeshtë gënjeshtra si të gjitha gënjeshtrat e tjera që ka bërë VMRO-DPMNE.

“Sa i përket marrëveshjeve duhet të merret Prokuroria sepse pas hetimeve të një mediumi, në mbikëqyrje për të cilën Hristijan Mickoski thoshte se do të ketë përgjegjësi dhe do të ketë hetime dhe se ka një kompani që prodhon veshje të brendshme, tani ka hyrë një person në strukturën pronësore i cili ka qenë anëtar i VMRO-DPMNE-së, një bandë e tillë nuk e ka udhëhequr shtetin asnjëherë”, tha Filipçe.

Atëkohë marrëveshja e nënshkruar prej 1,3 miliard eurove shkaktoi reagime në publik. Madje edhe Komisioni Antikorrupsion pati hapur lëndë për ndërtimin e korridoreve pas publikimeve në media rreth mënyrës së përzgjedhjes së kompanive për mbikëqyrje dhe të njëjtën e pati dorëzuar edhe në Prokurori e cila ende deri sot nuk ka pasur asnjë vendim./Alsat.mk.